Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët po detyrohen ta blejnë ilaçin remdesivir

Pacientët që po trajtohen nga COVID-19 qe një kohë të gjatë po përballen me mungesën e ilaçit Remdesivir, i cili përdoret për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Ministria e Shëndetësisë para një jave ka thënë që është çështje ditësh furnizimi me të. Në treg ky ilaç kushton afro 40 euro

Gjendja e rëndë shëndetësore nuk është problemi i vetëm i pacientëve që po trajtohen për COVID-19 në Infektive. Ata janë duke u ballafaquar edhe me mungesë të ilaçit Remdesivir që përdoret për trajtimin e kësaj sëmundjeje, dhe i cili është edhe ndër më të shtrenjtët. Pacientët po detyrohen ta blejnë vetë atë që në treg e ka çmimin rreth 40 euro.

Një gjë të tillë e konfirmon Sami Ukullari, pacient në Klinikën e Infektives.

“Gati të gjitha barnat janë..., Remdesivirin po duhet me ble vetë, të tjerat jo”, ka thënë Ukullari.

Të njëjtën problem e ka edhe Burim Miftari, familjar i cili po kujdeset për babanë e tij dhe që këtë ilaç e ka blerë për shtatë ditë.

“Shumica e ilaçeve janë prej spitalit..., Remdesivirin m’u ka dashtë me ble”, ka thënë ai.

Ky ilaç u jepet pacientëve me 6 deri në 8 doza, që do të thotë se atyre u duhet të shpenzojnë rreth 300 euro për të.

Më 31 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media pati thënë se është çështje ditësh furnizimi me këtë bar, por se një gjë e tillë ende nuk është bërë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, për KOHËN ka thënë se sigurimi i Remdesivirit është në proces. Ai ka thënë se në klinikë gjenden terapi të tjera për shërim dhe ka sasi të mjaftueshme.

Në Klinikën Infektive po marrin trajtim 108 pacientë. Disa nga ta thonë se përpos mungesës së këtij ilaçi, janë të kënaqur me trajtimin aty.

“Për momentin nuk ka vërejtje kurrgjë. Nuk e kam besuar që është kështu në spital të Kosovës, po jam shumë i kënaqur”, ka thënë Sami Ukullari, pacient.

Në nëntor të vitit të kaluar, çmimi për një dozë Remdesivir ka qenë nga 180 deri në 200 euro, përderisa pas dhjetë muajve, ky çmim ka rënë në afro 40 euro.

Artikuj të ngjashëm