Pa asnjë problem ka kaluar dita e parë e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet e hyrje-daljes mes dy shteteve. Hyrjen në fuqi të marrëveshjes e ka përshëndetur të enjten ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e vlerësuar atë si thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve, që përqendrohen në njohjen reciproke mes dy shteteve
Të rralla kanë qenë veturat që kanë kaluar pikën kufitare në Bërnjak gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes, në ditën e parë të nisjes së zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë për njohjen e letërnjoftimeve.
Nga të dy anët e kufirit dhe në të gjitha pikëkalimet kufitare mes dy vendeve, ngasësit e veturave nuk kanë pritur radhë dhe as nuk u janë lëshuar dokumente shtesë krahas letërnjoftimeve, si pjesë e pajtimit nga Serbia për njohjen e letërnjoftimeve të lëshuara nga Republika e Kosovës. Me marrëveshjen e 27 gushtit, pala serbe është dakorduar që të heqë dorë nga lëshimi i dokumenteve shtesë, me të cilat i ka pajisur të gjithë udhëtarët nga Kosova.
Dy qytetarë serbë, që e kanë kaluar kufirin e Kosovës drejt Serbisë nëpërmjet Bërnjakut, kanë thënë se nuk kanë pasur kurrfarë telashi teksa e kanë mirëpritur fillimin e zbatimit të marrëveshjes.
“Kurrfarë problemi nuk ka pasur. Kemi vendosur letër ngjitëse. Dhe po shkoj për Istog”, ka thënë njeri nga ta, i cili nuk është identifikuar me emër. Ndërkaq, qytetari tjetër nga komuniteti serb ka shprehur optimizmin që marrëveshja do të zbatohet ashtu siç është dakorduar.
“Nuk kemi pasur probleme. Çfarë të them, është çdo gjë normale, ta shohim çfarë do të ndodhë, çfarë vendime do të merren”, ka thënë ai.
Situatë e ngjashme ka mbizotëruar edhe në pikën kufitare në Merdar, e cila ka qenë e frekuentuar nga një numër më i madh i veturave sesa në Bërnjak. Shumica e atyre që e kanë kaluar këtë pikëkalim kufitar kanë qenë kosovarë, shtetas të vendeve të tjera të Evropës, që po ktheheshin nga pushimet e përfunduara në Kosovë. E pa probleme e ka kaluar kufirin në Merdar edhe një shtetas i Kosovës që ka hyrë nga Serbia në Kosovë.
“Çdo gjë ka shkuar mirë. Nuk pati asnjë problem. Shpresoj të vazhdojë kështu”, ka deklaruar ai.
1 shtatori ka qenë afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshja për moslëshimin e dokumenteve të hyrje-daljes. E duke nisur nga 1 shtatori, qytetarët serbë do të kenë dy muaj kohë për konvertimin e targave të veturave të tyre prej atyre që lëshohen nga Serbia – me akronime të qyteteve të Kosovës – në ato të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një videoadresimi në gjuhën serbe, u ka bërë thirrje të enjten të gjithë qytetarëve që të aplikojnë për konvertimin e targave, proces ky që do të zgjatë deri më 31 tetor.
“Targat e lëshuara nga Serbia - PR, KM, PZ, GL, UR dhe PE - janë trashëgimi e Millosheviqit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon t’ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS e eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të papenguar dhe pa paragjykime në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se për 61 ditë, në 34 qendra komunale të regjistrimit të automjeteve do të zhvillohet procesi i konvertimit të targave, teksa ka shtuar se në Kosovë aktualisht janë 401.945 vetura me targa RKS, dhjetëra mijëra prej të cilave janë në pronësi të komuniteteve pakicë. Kurti ka bërë të ditur se ato targa që do të duhej të konvertoheshin e përbëjnë vetëm rreth 2 përqindëshin e totalit.
Zbatimin e marrëveshjes për dokumentet, të enjten, e kanë mirëpritur ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi, Jeffrey Hovenier dhe Christopher Hill.
Ambasadori Hovenier ka thënë se liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve, që ka në qendër njohjen reciproke.
“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrje-daljes. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për Kosovën dhe Serbinë. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, është shprehur ai.
Kjo marrëveshje mes dy vendeve është arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 27 gusht. Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që zbatimi i masës së reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e hyrje-daljeve në kufi të niste nga 1 gushti, porse masa është shtyrë për 30 ditë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, pas trazirave të natës midis 31 korrikut dhe 1 gushtit.
Para nisjes së zbatimit të ujdisë, në anët serbe të të gjitha pikëkalimeve kufitare me Kosovën janë vendosur afishe me njoftime, në të cilat thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet për arsye praktike dhe se masa nuk do të duhej interpretuar si njohje e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga Beogradi për të drejtat e dhëna nën Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e vendosur pranë pikave të kontrollit kufitar.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Këtë marrëveshje Serbia e ka zbatuar menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës dokumente për hyrje në vend.
BE-ja i kërkon Kosovës kohë të mjaftueshme për riregjistrimin e targave
Zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar të enjten Kosovës që të ofrojë kohë të mjaftueshme për zbatimin e vendimit për targat e veturave, sipas të cilit serbët që jetojnë në veri të Kosovës duhet t’i riregjistrojnë veturat për t’i konvertuar targat nga ato që lëshohen prej Serbisë, në ato të Kosovës.
Periudha e riregjistrimit të targave ka nisur më 1 shtator dhe zgjat deri më 31 tetor.
“Është e rëndësishme që t’i jepet kohë implementimit të këtij planit dhe që të jetë i përgatitur dhe i ekzekutuar në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur nga ai dhe në linjë me praktikat e mira evropiane”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Konkluzionet e vitit 2016 për lirinë e lëvizjes kanë përfshirë një afat më të gjatë kohor për riregjistrim, që duhet të ofrojë udhëzime për procesin e tanishëm”, ka shtuar zëdhënësi.
Ai ka bërë të ditur se BE-ja u ka kërkuar “të dyja palëve (Kosovës dhe Serbisë) që ta përdorin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si platformë për t’i adresuar dhe për t’i zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë atë për targat”.