Arbëri

Pa përgjigje se a do të dekretohet gjykatësi i Kushtetueses Safet Hoxha

Zyra e Presidentit të Kosovës nuk është përgjigjur nëse do ta dekretojë gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Safet Hoxha, i cili u zgjodh në Kuvend javën e kaluar. Organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar Thaçit të mos e dekretojë Hoxhën, sepse ka qenë anëtar pikërisht i ish-partisë së presidentit, PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila që nga viti 2008 është në pushtet, në vazhdimësi është kujdesur që nëpër pozita të ndryshme udhëheqëse t’i rehatojë njerëzit e vet.

Së fundi, deputetët e kësaj partie i kanë ndihmuar edhe ish-këshilltarit komunal të Suharekës nga PDK-ja, Safet Hoxha, që të fitojë një ulëse si anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

Hoxha, i cili aktualisht është në përfundim të mandatit si kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe ligjërues në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, arriti që t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend.

Pikërisht për shkak të së kaluarës politike të Hoxhës dhe afërsisë së tij me PDK-në , shoqëria civile i ka kërkuar presidentit të Kosovës të mos e dekretojë atë si gjykatës në Kushtetuese.

Sipas Organizatës “Çohu”, kandidatët si Hoxha nuk i përmbushin kriteret e nevojshme të integritetit dhe të pavarësisë profesionale, duke cenuar kështu paanshmërinë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.

Nimoni thotë se veç kësaj duhet të iniciohet edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nëpërmjet të cilit duhet t’iu pamundësohet njerëzve politik të zgjidhen gjykatës të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese, pavarësisht kësaj, është e bindur në pavarësinë e gjyqtarëve të zgjedhur.

“Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese e përcaktojnë qartë se Gjykata Kushtetuese, përkatësisht gjyqtarët e saj, janë plotësisht të pavarur në kryerjen e detyrave dhe të përgjegjësive të tyre kushtetuese”

Zyra e Presidentit të Kosovës, nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV-së, nëse do ta dekretojë ose jo Hoxhën. Sidoqoftë, ambasadorë të vendeve të ndryshme, si edhe zyra e BE-së kanë bërë thirrje që kandidatët e zgjedhur të jenë apolitikë.

Presidenti ende nuk e ka dekretuar as gjykatësin serb, Radomir Llaban, sepse janë ngritur dyshime se në të kaluarën ai ka qenë i përfshirë në vepra penale në Serbi.