Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës brenda 30 ditëve është obligim, siç është thënë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Osmani ka mbajtur sot takime konsultative me liderë të partive politike të komuniteteve jo shumicë, si dhe të partive Guxo e Alternativa.
Osmani ka ritheksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25, ka mbajtur sot takimet konsultative me liderë të partisë: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT. Presidentja Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion. Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani ka thënë se mungesa e legjislativit po krijon vakuum institucional që po shkakton erozion të demokracisë dhe po e dëmton funksionimin e shtetit.
“Në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim”, u tha nga Presidenca.