Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Veprimet e fundit kriminale në veri të orkestruara nga Beogradi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Kosovës.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar se veprimet e fundit kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht kësaj, Osmani ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës.