Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se trashëgimia politike e presidentit Ibrahim Rugova vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të kulturës politike dhe të orientimit shtetëror të vendit.
Këto deklarata Osmani i bëri gjatë Akademisë Përkujtimore, të mbajtur me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së presidentit Rugova, ku theksoi se përkujtimi i tij nuk është thjesht shënim i një date, por rikthim te një epokë që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por një epokë që e ndryshoi përgjithmonë historinë tonë. Ideja e Rugovës u bë kulturë politike, rezistenca u shndërrua në etikë dhe politika u ngrit në nivel të misionit historik”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se askush nuk e mishëroi më mirë lidhjen me Kosovën se sa presidenti Rugova, duke e cilësuar atë si figurë të përkushtimit, sakrificës dhe vizionit shtetformues.
“Askush nuk e mishëroi më thellë shprehjen ‘Unë biri yt, Kosovë’ se sa presidenti Rugova. Ai ia kushtoi gjithë jetën ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës”, u shpreh presidentja, transmeton EO.
Osmani vuri në pah edhe filozofinë politike të Rugovës, duke theksuar se ajo përfaqëson një koncept të thellë human dhe demokratik që vazhdon të shërbejë si udhërrëfyes edhe sot.
Sipas saj, trinomi politik i Rugovës – liri, pavarësi dhe demokraci – nuk ishte vetëm një program politik, por një koncept filozofik dhe human.
“Për Rugovën, liria ishte aftësi për të vendosur për fatin dhe orientimin e vet, pavarësia ishte realizim i një të drejte historike, ndërsa demokracia ishte mekanizëm dialogu dhe garantim i të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë pa dallim”, përfundoi Osmani.

