Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se në takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk kanë diskutuar për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas të cilës të gjitha pagesat në Kosovë nga 1 shkurti do të bëhen me vetëm me euro. Kjo i jep fund përdorimit të dinarit në Kosovë.
Derisa ka krahasuar çështjen e vendimit të BQK-së me çështjen e targave, ajo ka thënë se këto dy ditë do të ketë një dakordim dhe do të dalin më një deklaratë publike.
“Unë jam që zbatimi të jetë i plotë e jo vetëm në letër e të gjithë e dinë që të ketë zbatim të plotë duhet përkrahja e aleatëve. Diskutimi ende është duke vazhduar dhe jam e bindur që do të gjejë një zgjidhje e që do të mundësojë që Kushtetuta jonë të zbatohet”, ka theksuar Osmani, në një deklarim për media pasi që ka barë homazhe te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij.
Ajo ka theksuar se për këtë janë duke u diskutuar një sërë opsionesh. Osmani ka thënë se aleatët nuk janë kundër Kushtetutës së Kosovës.
Osmani ka thënë se është për keqardhje që ky vendim nuk është zbatuar deri më tani. Sipas saj BQK-ja e ka kryer punën e saj.