Përfaqësues të partisë kryesore në pushtet dhe të subjekteve politike në opozitë janë bashkuar në qëndrimin që Rregullorja e Bankës Qendrore, e cila e ka ndaluar dinarin serb, nuk duhet të jetë çështje diskutimi e nivelit politik në dialogun e Brukselit. Megjithëkëtë, është shprehur nevoja për koordinim me ndërkombëtarët, porse në Prishtinë dhe jo diku tjetër
Çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit për pagesa me para të gatshme ka krijuar konsensus në mes të partisë në pushtet dhe subjekteve politike në opozitë, pasi përfaqësues të të dy taborëve kanë ndarë qëndrim të njëjtë se Rregullorja e Bankës Qendrore (BQK) nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve politike që zhvillohen në Bruksel.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë të premten se diskutimet politike për valutën zyrtare në Kosovë kanë përfunduar me miratimin e Kushtetutës, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë.
“Asnjë diskutim tjetër në raport me politikat, me BQK-së apo dispozitat që derivojnë nga Kushtetuta e Kosovës për këtë çështje nuk mund të rikthehen në kuptimin e ndonjë fleksibiliteti. E vetmja formë e trajtimit të kësaj çështjeje është lehtësira për ngritjen e formave apo mënyrave, gjegjësisht hapjen së llogarive nga komuniteti serb në Kosovë për të pranuar ato mjete”, ka deklaruar ajo në konferencë shtypi pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Kundër diskutimeve në nivel politik për Rregulloren e BQK-së janë shprehur edhe përfaqësues të Partisë Demokratike (PDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK).
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka shprehur qëndrimin se ngritja e diskutimeve të tilla do të ishte “dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës”.
“Ky është një ujë që shkon vetëm në mulli të Serbisë. Ky është një favor që ia bëjmë Serbisë. Kjo ka qenë një çështje jona e brendshme që është dashur të rregullohej në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
E Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka theksuar se çështja e Rregullores së BQK-së duhet të diskutohet në Kosovë.
“Ajo që duhet të bëjë Qeveria është që këtë temë ta diskutojë në Kosovë me palët e interesuara. A është palë BE-ja a SHBA-ja duhet diskutohet në Prishtinë. Pse duhet të shkojmë në Bruksel për valutën e Kosovës apo pse duhet të diskutojmë në Bruksel për një Rregullore të BQK-s. Kjo duhet të ndodhë në Kosovë, është fatkeqësi e madhe që ky vendim që është i brendshëm na u ka bërë temë ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.
Qëndrimet e shprehura kanë pasuar takimet e zhvilluara më 27 shkurt në Bruksel, gjatë së cilave delegacioni nga Kosova, i përfaqësuar nga BQK-ja, ka diskutuar mbi çështjen e dinarit me delegacionin nga Serbia dhe me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Kosova në këtë takim ka dërguar guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, pasi që kryenegociatori dhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka refuzuar pjesëmarrjen duke vlerësuar se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. E pas takimeve emisari Lajçak ka theksuar nevojën për zhvillimin e takimeve shtesë, me justifikimin se “shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje”.
Shkas për takim është bërë Rregullorja e re e BQK-së, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt dhe që e parasheh euron si të vetmen valutë për pagesa me para të gatshme në Kosovë. Faktori ndërkombëtar e ka kundërshtuar hyrjen e saj në fuqi, shkaku i shqetësimit për implikimet që mund t’i ketë te qytetarët serbë të cilët pranojnë pagesa në dinarë nga Serbia.