Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të fundvitit ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani dhe Nagavci diskutuan për zhvillimet, sfidat më të shpeshta, si dhe planet për vitin e ardhshëm.
Me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të sektorit të arsimit, por edhe sektorëve të tjerë, në takim u potencua rëndësia e veçantë që luan në këtë drejtim bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinsititucional.
Në kuadër të Këshillit për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të udhëhequr nga Presidentja, janë identifikuar një sërë çështjesh që e involvojnë sektorin e arsimit, prandaj gjatë takimit u diskutua për prioritetet tashmë të adresuara si dhe për planet konkrete për vitin në vijim me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës me bazë gjinore.
Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë. Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.