Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani takohet me Scholzin e Mitsotakisin, kërkon që të mbahet Serbia përgjegjëse për sulmin në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Granada të Spanjës me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Osmani ka thënë se ka njoftuar dy liderët për “sulmin terrorist të Serbisë dhe aktin e agresionit kundër Kosovës”.

Ajo i është referuar sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën tre policë tjerë. Në sulm u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit që kreu sulm terrorist.

“Kam informuar kancelarin gjerman Scholz dhe kryeministrin e Greqisë, Mitsotakis për sulmin terrorist të Serbisë dhe aktin a agresionit kundër Kosovës. E kam cekur nevojën që Serbia të mbahet përgjegjëse për përpjekjet e saja për ta destabilizuar vendin tonë dhe gjithë rajonin”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.