Arbëri

Osmani: Dëshmitë kanë konfirmuar se Vuçiqi qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjitha gjurmët për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator çojnë te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy policë tjerë.

Osmani në një intervistë për mediumin “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të shpërndarë sot nga Presidenca e Kosovës, ka thënë se iu është konfirmuar edhe nga aleatët se Vuçiqi qëndron pas sulmit.

“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiqi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, tha Osmani.

Ajo ka thënë se secili shtet e ka mënyrën e vetë se si do t’i përdorë këto dëshmi. Presidentja ka thënë se Kosova ka kryer hetimin e saj nëpërmjet institucioneve përgjegjëse. Ka shtuar se një pjesë e hetimit është publikuar e një pjesë varet nga policia se kur do të publikohet.

“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë. Por, historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”, tha Osmani.

https://fb.watch/qhT4YyMM2o/