Arbëri

Osmani: Shqetësuese vonesat në konstituim të Kuvendit, por besoj se partitë do të arrijnë marrëveshje shpejt

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me bllokadën politike në vend dhe vonesat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit.

Ajo theksoi se vonesat janë të dëmshme dhe që qytetarët e Kosovës po e paguajnë çmimin e këtij bllokimi, pasi ende nuk ka një Kuvend funksional që mund të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të miratojë legjislacionin e nevojshëm për zhvillimin e vendit.

“Në Kosovë kemi pasur zgjedhje të lira e demokratike në shkurt të këtij viti dhe pas një periudhe janë certifikuar rezultatet zgjedhore. Më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit, ku kanë filluar edhe përpjekjet e para për krijimin apo konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Tani ka kaluar më shumë se një muaj nga përpjekjet e para në këtë drejtim dhe fatkeqësisht ende nuk ka sukses. Mirëpo, edhe nëse e krahasojmë me shumë vende të ndryshme në Evropë, ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë, pra nuk është jashtë normës evropiane. Kjo nuk do të thotë megjithatë qe ne nuk shqetësohemi për këto vonesa. Si president jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonsituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë ta kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta të cilat ne i mbajmë si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët që pati me homologen e saj zvicerane.

Osmani përmendi se pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike të mbajtura në shkurt dhe pas certifikimit të rezultateve, më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit.

“Megjithatë unë jam besimplotë që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje për ta kaluar këtë situatë të tanishme, sepse sa herë e vendosin vendin si parësor, interesat e shtetit para gjithçka tjetër, gjithmonë zgjidhja politike është afër”, u shpreh tutje Osmani.

Osmani: Ajo çka po ndodh në Serbi ndaj shqiptarëve është spastrim etnik me mjete administrative

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vazhdimisht e ka ngritur zërin për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga Serbia. Në një konferencë për media në Zvicër, ajo ka theksuar se Serbia duhet të respektojë të drejtat e shqiptarëve atje, dhe se duhet të bëjë të njëjtën gjë që bën Kosova me komunitetet joshumicë.

“Dihet mirëfilli edhe është konfirmuar në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raportet e Parlamentit Evropian se ajo çfarë është duke ndodhur në Serbi ndaj shqiptarëve është spastrim etnik me mjete administrative. Këtë e bëjnë duke i larguar nga listat e votuesve, duke i lënë pa nënshtetësi dhe ka edhe shumë shkelje të të drejtave të tjera fundamentale të cilat janë në kundërshtim të plotë me detyrimet ndërkombëtare që Serbia i ka marrë nëpërmjet konventave ndërkombëtare”.

“Siç e dini zërin e kam ngritur për këtë çështje nga Këshilli Evropian dhe deri tek Parlamenti Evropian, këtë e bëjmë në arenën ndërkombëtare vazhdimisht. Në Kosovë jemi shembull, jo vetëm i mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve pakicë, por në të njëjtën kohë dhënies së të drejtave që është zor të gjenden në shtetet e Bashkimit Evropian nëpërmjet Kushtetutës sonë. Në anën tjetër në Serbi kemi një sistem represiv. Reciprociteti i të drejtave është diçka që unë e kam përkrahur më shumë se një dekadë. Sepse kjo do të nënkuptonte se aq të drejta sa kanë pakicat në Kosovë, aq të drejta do të duhej t’u jepen shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Kjo është diçka që është refuzuar vazhdimisht nga Serbia, e cila nuk ka treguar ndonjë interesim për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi për të mos kërkuar mbrojtjen e të drejtave për shqiptarët”, tha Osmani. /Ekonomia Online