Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, para gazetarëve në Bruksel, pas përfundimit të vizitës dyditore, ka thënë se kushdo që do të fitojë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, do të refuzojë çdo ide që mund të prekë kufijtë e vendit, teksa ka kritikuar Qeverinë Hoti për hapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë.
Osmani ka thënë se u ka bërë me dije krerëve evropianë se aktualisht dialogu nuk mund të zhvillohet pa ardhur qeveria e re me kompetenca të plota.
“Askush në Kosovë s’është kundër dialogut si proces, por presim që qeveria e ardhshme të ketë platformë të qartë e cila e çon interesin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e vendit përpara në dialog. Kam kërkuar të mos mbahen takime qoftë me të autorizuar të qeverisë apo zyrtarë të tjerë, pasi s’është koha për dialog. Por kam shprehur qartë vullnetin tonë që të jemi pjesë e këtij procesi pas zgjedhjeve q1ë pritet të mbahen. E kam theksuar se pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, është e qartë që Kosova do të refuzojë çdo ide që mund të prekë kufijtë e saj ose funksionalitetin e saj apo rregullimin e brendshëm”, ka thënë ajo.
Osmani më tej ka kritikuar Qeverinë Hoti duke thënë se ka gabuar me lejimin që të rihapet tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri. Sipas saj, Hoti la Kosovën në pozitë të palakmueshme me qëndrimin e tij.
“Qeveria e tanishme ka bërë gabim jashtëzakonisht të madh duke lejuar që të rihapet tema e asociacionit që ishte e mbyllur me vendim të gjykatës Kushtetuese e cila qartë ka treguar se cilat ishin shkeljet në dokumentin e vitit 2015 dhe paraqet rregullat e qarta që duhet të ndiqen nga institucionet e Kosovës. Pa pasur fare mandatin nga Kuvendi për të rihapë këtë temë që mund të prekë rregullimin e brendshëm Kushtetues, qeveria për fat të keq ka lejuar dhe pastaj ka vendosur gjithë Kosovën në pozitë të palakmueshme pasi u tërhoq nga kjo, por unë mendoj se mbrojtja e rregullit kushtetues dhe funksionimit të brendshëm të vendit duhet të jetë ndër prioritetet themelore sepse pavarësisht që ideja e ndryshimit të kufijve është jashtëzakonisht e rrezikshme e duhet të gjithë ta refuzojmë, rrezik të ngjashëm mund të paraqesin edhe idetë të cilat mund të krijojnë entitete të veçanta në veri të vendit sepse kjo do të thotë që pas disa vitesh mund të përfundojnë me ndarje”, ka shtuar ajo.
Osmani ka kërkuar që qasja e Kosovës në dialog duhet të ndryshojë. Sipas saj, më s’duhet të priten temat vazhdimisht vetëm nga Brukseli zyrtar, por duhet të ketë përgatitje me ide, plane e qasje.
Ajo po ashtu ka kritikuar shtetet e Bashkimit Evropian e që po refuzojnë të njohin Kosovën. Osmani ka thënë se është i rrezikshëm qëndrimi i këtyre shteteve që të përcaktojnë rregulla në bazë të dëshirave të Serbisë.