Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Presidenti Clinton bëri që zëri i popullit të Kosovës të dëgjohej

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ishte bërë zë i popullit të Kosovës në ditët më të vështira.

Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, shënuan Ditën Ndërkombëtare të Presidentit të SHBA-së me një aktivitet te shtatorja e Bill Clintonit në Prishtinë.

Kjo ditë u shënua me iniciativën e Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë dhe ambasadorit amerikan Hovenier.

“Ne vijmë këtu me fëmijët e Kosovës, për të festuar një president amerikan që dëgjoi lutjen tonë për liri e paqe. Një president që vërtetë dëgjoi zërat e fëmijëve tanë dhe popullit tonë. Ky është presidenti Bill Clinton, presidenti i 42-të i SHBA-së. Gjatë presidencës së tij, presidenti Clinton tregoi përkushtim të palëkundur për të promovuar paqen, lirinë dhe drejtësinë, duke refuzuar të rrinte duarkryq dhe të shikonte njerëzit e pafajshëm duke vuajtur. Presidenti Clinton dëgjoi luftën e popullit të Kosovës dhe u bë zëri ynë. Ndërhyrja në Kosovë ishte një mision humanitar i rendit më të lartë, i nxitur nga vlerat më themelore njerëzore të drejtësisë, dhembshurisë dhe djinitetit. E përmes udhëheqjes e vendosmërisë së tij të guximshme u shpëtuan jetë të panumërta dhe u realizua shpresa për ndërtimin e një shteti të lirë e të pavarur”, tha Osmani. “Presidenti Clinton na ka mësuar shumë, por në veçanti trashëgimia e tij këtu në Kosovë na ka mësuar që gjithmonë të ngrihemi kundër shtypjes e të luftojmë për drejtësi, pavarësisht se sa e frikshme mund të duket”.

Osmani ka treguar për vizitën e parë të Clintonit në Kosovë pas luftës. Ajo tha se një nga fëmijët në Ferizaj, ku u prit ngrohtësisht, i tha: “Premtove se do të na sillje të sigurt në shtëpitë tona dhe e mbajte premtimin”.

“Zoti President, ke bërë shumë më tepër sesa thjeshtë mbajtje të premtimit. Lidershipi i juaj vazhdon të na inspirojë ne edhe këto ditë ndërsa po e forcojmë demokracinë, sundimin e ligjit dhe pozitën tonë në komunitetin global si kontribuues të paqes. Dhe ne e dimë drejtpërdrejt rëndësinë e udhëheqjes së fortë dhe vizionare. Republika e Kosovës dhe populli i saj janë përballë me shumë pengesa në të kaluarën, përfshirë dekada të shtypjes dhe diskriminimit, të cilat kulmuan me një luftë gjenocidale. Ishim në gjendje të kalonim këto sfida falë vendosmërisë sonë të palëkundur, të udhëdhëhequr nga presidenti Rugova dhe luftës çlirimtare, të udhëhequr nga UÇK-ja, por thellësisht po ashtu falë kontributit të miqve tanë amerikanë”, tha Osmani.

Edhe Clinton: Shumë mendonin se isha i çmendur kur u përfshiva në Kosovë Arbëri Clinton: Shumë mendonin se isha i çmendur kur u përfshiva në Kosovë

Ajo ka thënë se siç kishte bërë presidenti Clinton me Kosovën, atë po e bën edhe presidenti Joe Biden tash me Ukrainën.

“Ashtu si presidenti Clinton që qëndroi me një popull të shtypur, me të gjithë ne, në vitin 1999, presidenti Biden, sot vazhdon të tregojë lidershim ndërsa qëndron krah për krah me popullin e Ukrainës. Të dy këta shembuj të solidaritetit dhe mbështetjes janë dëshmi e një rëndësie të jashtëzakonshme që bota demokratike të qëndrojë e bashkuar kundër shtypjes e urrejtjes.”, tha Osmani.