Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim me përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gabriel Di Bella, tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të krijojnë një kulturë të re të qeverisjes, si dhe një disiplinë më të qartë fiskale.
Në takimin që sot zhvilloi me të, Osmani nënvizoi ndihmën e FMN-së që ky institucion ua ka ofruar institucioneve të vendit për mënyrën e planifikimit dhe të menaxhimit të buxhetit.
Sipas njoftimit për media nga zyra e kryeparlamentares, bëhet e ditur se ajo ka shprehur gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit të Republikës që ta vazhdojnë bashkëpunimin me FMN-në, për t`u siguruar që legjislacioni i miratuar në Kuvend, përveç tjerash, do të përkrahet edhe nga FMN-ja.
Osmani, më tej nënvizoi se pret që gjatë hartimit dhe më pas miratimit të buxhetit të ri, përqendrimi kryesor i institucioneve të jetë investimi në kapitalin njerëzor.
“Buxhet pro-zhvillimor, i përqendruar në arsim, shëndetësi dhe rritje të punësimit, sidomos për gratë dhe të rinjtë - ky është synimi ynë”, tha dr. Osmani.
Edhe
Osmani: Kosova vazhdon përkushtimin për rrugën drejt BE-së
Në anën tjetër, zëvendësshefi i Divizionit në departamentin Evropian, Di Bella, shprehu gatishmërinë e institucionit që e përfaqëson që të vazhdojë bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe me institucionet e tjera të vendit.
Ai e ritheksoi gatishmërinë e FMN-së që të vazhdojë të jetë në dispozicion të institucioneve të Kosovës, sidomos tash, në prag të miratimit të buxhetit të vitit 2020.