Arbëri

Osmani në Munih shpreh shqetësimin për ndikimin rus në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat destabilizuese që vijnë nga aleati i Rusisë, Serbia. Deklaratat ajo i ka bërë në një panel për sfidat dhe angazhimin për demokraci në Evropë, në kuadër të Konferencës për Siguri në Munih.

Siç ka bërë të ditur Presidenca në një komunikatë për media, Osmani në panel ishte me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, dhe lideren opozitare në Bjellorusi Sviatlana Tsikhanouskaya.

“Presidentja Osmani foli për rëndësinë e demokracisë nga perspektiva e vendit, i cili ka sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë dhe pavarësinë. Në diskutimin e saj, Presidentja Osmani shfaqi shqetësimin për zhvillimet në rajon, ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat destabilizuese që vijnë nga aleati i Rusisë, Serbia”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Osmani ka thënë se demokracia është shtyllë kyçe në përpjekjet shtetndërtuese të Kosovës dhe shtyllë qendrore e zhvillimit të shoqërisë.

“Presidentja Osmani tha se suksesi i përbashkët arrihet nëpërmjet garantimit të të drejtave të njeriut, kundërshtimit të pushteteve autoritare nëpër botë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet popujve demokratik. Ajo përmendi edhe Samitin për Demokraci dhe zotimet e Republikës së Kosovës në këtë Samit, të cilat do ta avancojnë edhe më tej demokracinë në vend”, thuhet në njoftim.