Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova dhe populli ende i ka të freskëta kujtimet e luftës, derisa këtë e krahasoi edhe me luftën që po bëhet në Ukrainë.
Duke folur për gratë, Osmani tha se kur përjashtohet gjysma e njerëzimit nga gjenerimi i ideve dhe vendimeve, humbet rasti për një shoqëri dhe demokraci me potencial transformues.
“Kosova dhe populli ynë i ka ende të freskëta kujtimet e luftës dhe sot zemrat tona rrahin fort përballë ekraneve televizive e telefonave gjersa shohim imazhet që vinë nga qytete e vende të ndryshme të Ukrainës”, deklaroi ajo në Javën e Gruas.
Sipas Osmanit, statusi i gruas në shoqëri e tregon statusin e demokracinë, duke cituar zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.
“Vetëm një demokraci gjithëpërfshirëse është demokraci e qëndrueshme”.
Duke folur në këtë organizim për barazinë gjinore, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se është shënjues i progresit dhe se tregon sa larg është ecur përpara.
“Gratë vazhdojnë të jenë të jenë të nënpërfaqësuara në kryesi të partive dhe në media”.
Në anën tjetër, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kanë pasur numrin më të madh të grave kandidate për kryetarë të komunave, derisa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se kuota ka prodhuar rezultate të mira.
“Ka një vetëdijësim të vetë partive politike, gjë që është shumë e rëndësishme. Partitë e kanë të qartë, gratë janë të zgjedhshme”, tha Abdixhiku.
Tutje, Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, tha se gruaja nuk duhet të jetë ajo që i kryen detyrat e shtëpisë, pasi sipas saj, ato duhet të ndahen në mënyrë të barabartë.
“Gratë duhet të jenë një faktor më i madh aty ku merren vendimet”.
Ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova ka shumë sfida, e një nga to është të drejtat e grave.
“Kosova ka shumë sfida edhe të drejtat e pozita e gruas është një nga to, por për fat nuk kemi qenë të vetëm. Femra nuk interesohet vetëm për femrat, por për çështjet e vendit të vet”, tha Haradinaj.