Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani informon ambasadorët e QUINT-it për zhvillimet e fundit politike në vend

Vjosa Osmani ka mbajtur takimin e parë si ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Pak orë pasi mori këtë funksion, Osmani ka informuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, për zhvillimet e fundit politike në vend.

Osmani mori detyrën pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, që të enjten u nis drejt Hagës pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale.

“Osmani i informoi ambasadorët e Kuintit me zhvillimet e fundit politike në vend dhe rolin e saj si ushtruese e detyrës së Presidentes në ruajtjen e stabilitetit institucional, unitetin politik, si dhe maturinë dhe kujdesin të cilin institucionet e vendit po e tregojnë në këtë fazë. Ajo tha se do të punojë fuqishëm me të gjitha institucionet e vendit, partitë politike dhe ambasadat e vendeve mike, për ta forcuar më tej jetën politike dhe institucionale në vend”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Aty theksohet se ambasadorët e QUINT-it dhe ai i BE-së “siguruan u.d. Presidenten Osmani për përkrahjen e mëtejme të vendeve të tyre për popullin dhe institucionet e Kosovës, si dhe i dëshiruan sukses në përgjegjësitë e reja, të cilat ia jep Kushtetuta e vendit”.

Ndërkaq, Osmani ka takuar edhe komandantin e FSK-së, gjeneralleitënant Rrahman Rama, me të cilin bisedoi për koordinimin dhe stabilitetin institucional.