Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka takuar përkrahje Turqisë për anëtarësim në NATO.
Gjatë konferencës së përbashkët për media, pas firmosjes së disa marrëveshjeve mes dy vendeve, Osmani ka falënderuar Turqinë që gjithmonë i ka qëndruar Kosovës pranë dhe ka thënë se shpreson që Turqia, si vend me ndikim në NATO, të ndihmojë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë.
“Situata në Ukrainë ka treguar për nevojë që Kosova të anëtarësohet në NATO, në një aleancë ku Turqia ka ndikim të madh. E falënderoj presidentin Erdogan për përkrahjen në këtë drejtim”, tha Osmani. “Duke na përkrahur për t’u anëtarësuar në NATO, Turqia i jep përkrahje të drejtpërdrejt paqes e sigurisë në gjithë rajonin dhe në kontinentin e Evropës”.
Osmani sërish ka thënë se Rusia nëpërmjet Serbisë po synon ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.
“Serbia nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës nuk po synon ta destabilizojë vetëm Kosovën por gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani.
Edhe
Erdogani uron Kosovën: Do ta vazhdojmë mbështetjen për ruajtjen e sovranitetit
Erdogan në anën tjetër tha se do ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në NATO, siç e ka ndihmuar për të siguruar njohje të reja.
“Turqia ishte vendi i dytë që e njohu Kosovën. Me zonjën Osmani biseduam për disa vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe për të shikuar për njohje të reja. Ne si vend i rëndësishëm në NATO nuk shohim asgjë që nuk shkon sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë dhe për të mbështetur këtë proces. Do të ndërmarrim hapat tona, siç ndihmuam në procesin e njohjeve do të bëjmë njëjtë edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Erdogan.
Ai në anën tjetër po ashtu ka thënë se shpreson të përforcohet edhe më tej bashkëpunimi mes Kosovës e Turqisë në të gjitha sferat, ndërsa ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.
“Turqia dëshiron të zhvillojë marrëdhënie të mira me gjitha fqinjët e saj. Dëshiroja jonë e sinqertë është që procesi i dialogut me Serbinë të përfundojë sa më shpejt me marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sigurojë stabilitetin në rajon”, tha Erdogan.
E Osmani sa i përket dialogut tha se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog e në qendër të saj të jetë njohja e ndërsjellë. Ajo ka thënë se Kosova ka ofruar disa propozime në tavolinë të dialogut por janë refuzuar nga pala serbe.
Edhe
Osmani: Anëtarësimi në NATO më urgjent për Kosovën sesa integrimi evropian
Erdogan gjatë konferencës përmendi edhe organizatën FETO. Tha se është me rëndësi që kjo organizatë të shuhet dhe se ia ka shprehur Osmanit pritshmërinë për ndihmën në këtë aspekt.
U nënshkruan sot tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Rinisë dhe Sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme.