Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Të përmirësohet pozita e mësimdhënësve, jam me nxënësit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pozita e mësimdhënësve duhet të përmirësohet, mirëpo ka deklaruar se është në anën e nxënësve.

Osmani përmes një statusi në Facebook të enjten mbrëma ka thënë se duhet t’i jepet fund grevës dhe t’i jepet mundësia dialogut.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera. Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve. Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t’i adresojë shqetësimet e saj, por gjithmonë duke shmangur dëmin që po i bëhet nxënësit.

Shumica e shkollave në Kosovë nuk e kanë zhvilluar procesin mësimor më 1 shtator për shkak të grevës së mësimdhënësve.