Arbëri

Osmani: Evropa e bashkuar është e paplotë pa Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është vendi më proevropian në Evropë.

Ajo ka thënë se nuk ka popull më t përkushtuar sesa ai i Kosovës ndaj vlerave dhe lirive që përfaqëson BE-ja.

Sipas saj, përkushtimi i Kosovës për t’iu bashkuar BE-së është i palëkundur.

Osmani ka thënë se një Evropë e bashkuar është e paplotë pa Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor brenda saj.

“Dua ta falënderoj BE-në për investimet në shumë fusha por edhe në jetën e përditshme. Ka ardhur koha që t’i ngrisim marrëdhëniet tona në një nivel më të lartë. Sot jemi përballë një situate të re në Evropë, ne kemi nevojë për angazhim të mëtejshëm për të arritur objektivin për Evropë të bashkuar. Pavarësisht përkushtimit tonë, mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin tonë e teston besueshmërinë në BE-në, duke lënë hapësirë për ndikim të jashtëm”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave është stërvonuar, derisa ka kërkuar angazhim aktiv nga BE-ja.

Ajo ka thënë se pret që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt.

“Duhet të vendoset një rrugë e qartë në Bashkimin Evropian. Kosova është e gatshme t’i ndërmarr të gjitha reformat për t’u anëtarësuar në BE. Kosova është e përkushtuar edhe ndaj dialogut me Serbinë. Për Kosovën dialogu nuk është vetëm kërkesë nga ndërkombëtarët por proces jetik”, ka thënë ai.

Ajo ka thënë se BE-ja nuk duhet të lejojë që dialogu të shndërrohet në instrument të Serbisë për ta minuar integrimin e Kosovës, qoftë në mekanizma rajonal e as në evropian.