Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani e Willems vlerësojnë se Kosova duhet të tregojë pjekuri politike

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në një takim me ambasadoren holandeze Gerrie Willems, bisedoi për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Holandës.

Siç njofton kumtesa për media, u diskutua edhe rëndësia e ratifikimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ndërlidhen me rimëkëmbjen nga pandemia Covid-19 dhe të cilat ndodhen në procedurë kuvendore.

“Në lidhje me aktualitetin politik dhe zhvillimet rreth dialogut me Serbinë, u vlerësua se Kosova duhet të tregoj maturi dhe pjekuri politike. Ishte vlerësim i përbashkët se roli i Kuvendit në procesin e dialogut është krucial, në raport me rritjen e transparencës dhe përmbylljes eventuale të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Theksohet se u diskutua edhe perspektiva evropiane e Kosovës, për të cilën fuqizimi i sundimit të ligjit është jetik.

Në këtë takim, u fol edhe për rritjen e rolit të Kuvendit të Kosovës dhe trupave të tij në procesin e integrimit evropian, posaçërisht pas riorganizimit të fundit të Qeverisë me dikasteret që kanë mandat dhe përgjegjësi parësore integrimin evropian.