Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani e Rama flasin për mundësinë e ndërtimit të bibliotekës “Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Siç thuhet në një njoftim të Presidencës, gjatë takimit, Osmani ka ngritur një sërë çështjesh, si dhe i ka ofruar mbështetje të plotë për çështje, të cilat paraqesin interes qytetar.

Ndër çështjet që janë diskutuar, është edhe mundësia e ndërtimit të objektit të Bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Presidentja Osmani dhe z. Rama diskutuan edhe për mundësinë e ndërtimit të objektit të Bibliotekës Presidenciale ‘Dr. Ibrahim Rugova’, institucion ky që ngërthen në vete jo vetëm historinë e Presidentit Rugova, por edhe të shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në takim është diskutuar edhe për fuqizimin e pozitës së grave në funksion të transformimit pozitiv të shoqërisë, në përgjithësi si dhe për projekte konkrete në këtë drejtim.

Edhe Komuna e Prishtinës thotë se ka nismuar park përkujtimor e bibliotekë presidenciale për Rugovën Kulturë Komuna e Prishtinës thotë se ka nismuar park përkujtimor e bibliotekë presidenciale për Rugovën

Presidentja po ashtu ka shtruar çështjen e rritjes së kujdesit ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta e po ashtu trajtimin e çështjes së qenve endacakë.

“Presidentja Osmani kërkoi nga komuna e Prishtinës trajtimin me prioritet edhe të çështjes së qenve endacakë, teksa u diskutua se si mund të shfrytëzohen modele të shteteve të ndryshme të avancuara për ta trajtuar këtë çështje që është shndërruar në problem sigurie për qytetarët. Nga ana tjetër, Rama e njoftoi Presidenten për projektet e komunës së Prishtinës dhe synimin për ta bërë kryeqytetin shumëqendërsh si dhe për çështje të tjera në të cilat mund dhe duhet të bashkëpunojnë niveli lokal dhe niveli qendror, në interes të qytetarëve që përfaqësojnë”, thuhet në njoftimin e presidencës.