Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Diaspora, burim i stabilitetit socio-ekonomik në vend

Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se diaspora është burim i stabilitetit socio-ekonomik në vend.

Gjatë fjalimit të mbajtur në konferencën “Diaspora Flet” të enjten, Osmani ka thënë se vetëm në vitin 2022, mbi tre miliardë euro është shuma e të hyrave nga diaspora, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Sot dua të theksoj mirënjohjen time ndaj secilit prej jush për angazhimin e pakursyer ndaj Republikës sonë. Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, pavarësi dhe për shtetndërtim. Sot mërgata jonë është burim i stabilitetit socio-ekonomik në Republikën e Kosovës. Mërgata jonë edhe sot bën aq shumë për ne. Sipas të dhënave të BQK-së, mbi 3 miliardë euro është shuma e të hyrave nga mërgata gjatë vitit 2022, kjo përbën një mbështetje të madhe jo vetëm për ekonomitë familjare, por mbi të gjitha për shtetin”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se mërgata është dëshmi e vlerave që e karakterizojnë shtetin dhe kombin.

“Mërgata jonë është dëshmi e vlerave që na karakterizojnë si komb e si shtet. Platformat si kjo sot janë mundësi e shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes nesh, por mbi të gjitha për ta mbështetur njëri-tjetrin. Është thelbësore që ne si shtet dhe shoqëri ta çmojmë mërgatën tonë”, ka theksuar ajo.