Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka dëshmuar qartë që Serbia qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit.
Sipas saj, janë katër elemente kryesore që e lidhin Serbinë me këtë sulm.
Osmani ka thënë se nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur 24 shtatori dhe se procesi i dialogut duhet të rimendohet.
“E para ka të bëjë me financimin e këtyre strukturave për të cilat ka dëshmi të evidentuara. E dyta ka të bëjë me armët, e treta ka të bëjë me trajnimet të cilat tash as shteti serb nuk i mohon dhe e katërta ka të bëjë me involvimin dhe lidhjet politike të shtetit serb me terroristët që kanë udhëhequr me këtë sulm. Shtetet anëtarë mund t’i kenë procedurat për konfirmim të këtyre informacioneve. Është koha për reflektim sepse qasja përgjatë këtyre 12 vjetëve e ka inkurajuar Vuçiqin të përdorë dhunë”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se ekziston mundësia e vendosjes së masave ndaj Serbisë.
“Një numër i shteteve anëtare kanë dhënë sinjale pozitive që janë duke e shqyrtuar një gjë të tillë. Me të gjitha këto argumente do të ishte dëm për paqen dhe dialogun nëse nuk do të merreshin masa ndaj Serbisë”, ka thënë ajo.