Banorët e fshatit Orllan të Podujevës pritet të bëhen me ujë të pijes në vitin e ardhshëm. Në tryezën e organizuar nga OJQ “Sundimi i demokracisë në Kosovë” në këtë fshat është kërkuar që hartimi i projektit dhe zhvillimi i procedurave të prokurimit të nisin sa më shpejt. Kanë mbetur vetëm definimi i përgjegjësive të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Podujevës dhe KUR “Prishtina” dhe pastaj të kalohet edhe në punën konkrete.
Agim Radoniqi nga MMPH ka thënë se me Ligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2018 për projektin e ujësjellësit për fshatin Orllan janë ndarë 200 mijë euro, për 2019 400 mijë dhe për 2020 më shumë se 740 mijë euro. Projekti, sipas tij, pritet të realizohet në bashkëpunim me Komunën e Podujevës dhe kompaninë e ujësjellësit rajonal KUR “Prishtina”, shkruan sot Koha Ditore.
“Para se të fillojë implementimi, duhet të fillojnë procedurat për projektin kryesor në detaje. Jemi me vonesë dhe duhet që projekti kryesor të bëhet sa më shpejt. Bashkë me zyrtarët e Ministrisë, Komunës dhe Ujësjellësit duhet të definohet se kush do të zhvillojë procedurat e prokurimit”, është shprehur Agim Radoniqi.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)