Përmbi 300 përdorues të narkotikëve janë duke u trajtuar në qendrën këshilluese dhe rehabilituese “Ri-Jeta” në Ferizaj.
Sipas drejtuesve të saj, me gjithë kohën e shkurtër që është duke funksionuar si qendër, ka arritur rezultate pozitive.
Se puna e bërë aty po jep rezultat, e tregojnë edhe këta dy përdorues, që thonë se tashmë kanë filluar të largohen nga përdorimi i drogave, raporton KOHA.
Megjithatë, këta dhe shumë të tjerë që kanë probleme të varësisë mund të mbesin pa qendrën që rrezikon të mbyllet shkaku i problemeve financiare.
Pavarësisht rrethanave, drejtoresha e qendrës “Ri-Jeta”, Arjeta Musliu fton të gjithë ata që kanë probleme të tilla që të paraqiten në hapësirat e qendrës.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Burim Ademi, është zotuar se deri në fund të vitit do t’u dalin në ndihmë organizatave të tilla.
Ademi ka shtuar se vazhdimisht po punojnë në parandalimin e dukurive negative, me theks tek institucionet shkollore.