Organizata për mbrojtjen e natyrës EcoZ ka bërë thirrje për largimin e hidrocentraleve të ndërtuara ilegalisht brenda Parqeve Kombëtare të Kosovës. Drejtoresha ekzekutive, Egzona Shala Kadiu, ka thënë se situata është alarmante si në Parkun Kombëtar “Sharri”, ashtu edhe në “Bjeshkët e Nemuna”, derisa u ka bërë thirrje institucioneve që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet
“Damn the damns” nuk do të jetë vetëm një koncert, por protestë për largimin e hidrocentraleve nga parqet kombëtare.
Përmes këtij koncerti që do të mbahet të shtunën në Parkun Kombëtar të Sharrit, organizata për mbrojtjen e natyrës EcoZ ka bërë thirrje që të ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve në parqet kombëtare, si dhe të largohen ato ekzistuese, në mënyrë që të ndalohet shkatërrimi i lumenjve.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Egzona Shala-Kadiu, ka thënë se gjendja e krijuar në parqet kombëtare të vendit është alarmante dhe se kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet e vendit.
“Thirrja jonë është që qeveria e ardhshme që do të formohet ta ketë parasysh që këto objekte janë ilegale dhe duhet të largohen nga parqet tona dhe të rrjedhë lumi ynë i lirë, qoftë ai i Lepencit, qoftë ai i Lumbardhit. Natyrën ne nuk e shesim, por lumenjtë tanë duhet të lihen të lirë, të jetë uji i barabartë për të gjithë”, ka thënë Shala-Kadiu.
Ajo ka theksuar se hidrocentralet që gjenden në parkun e Sharrit dhe në Bjeshkët e Nemuna, janë të ndërtuara ilegalisht.
“Të gjitha këto e devijojnë rreth 90 për qind të rrjedhjes së lumit. Mbi 5000 metra të lumit janë të vendosura në gypa. I njëjti rast është në Bjeshkët e Nemuna, ku gjenden tri hidrocentrale ilegalisht të ndërtuara nga kompania e KelKos-it, ndërsa në Sharr nga kompania Matkos”, ka thënë Shala-Kadiu.
Kundër shkatërrimit të këtyre lumenjve ka pasur edhe protesta, ku ishte kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë të Austrisë që t’i hetojë shkeljet e ligjeve ndërkombëtare që vijnë nga ndërtimi i hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit.
Po ashtu, kohë më parë, KOHA pati raportuar se Ministria e Mjedisit në heshtje dhe pa pjesëmarrje të publikut e kishte licencuar hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan për periudhë pesëvjeçare dhe se disa hidrocentrale kishin vepruar në mënyrë të kundërligjshme, pasi pa u pajisur me leje mjedisore, ato ishin lëshuar në operim.