Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim - ORCA njofton publikun se Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për shqiptimin e masës “vërejtje me shkrim” për profesor asistent Ilir Shehu nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, pasi ka aprovuar denoncimin e kësaj organizate të bërë më 14 shtator 2018.
Këshilli i Etikës i UP-së, sipas ORCA-s, ka konstatuar se profesori Shehu ka kryer dy shkelje të rënda sipas rregullativës në fuqi, e që janë “kryerja e aktiviteteve që bien ndesh me interesat e institucionit apo veprimet që e dëmtojnë institucionin” dhe “keqpërdorim i autoritetit dhe emrit të universitetit për përfitime personale”.
“Siç është konstatuar edhe në vendimin e Këshillit të Etikës me numër 2/178 i datës 23 korrik 2019, pas denoncimit nga ORCA të revistës ‘International Journal of Pharmaceutical Sciences Review’ për praktikat mashtruese pasi kjo revistë botoi punim pa asnjë kualitet të autorit fiktiv Rrush Kalaveshi, Senati e futi këtë revistë në listën e revistave të dyshimta. I denoncuari Ilir Shehu, duke e paraqitur veten si prodekan të Fakultetit ku punon, i ka shkruar revistës mashtruese dhe i ka kërkuar që ta heq punimin e Rrush Kalaveshit pasi në të njëjtën revistë kishin publikuar edhe disa profesorë të tjerë të cilët nuk u avancuan meqë revista u fut në listën e revistave të dyshimta nga Senati. Vet Ilir Shehu ka publikuar 5 punime në këtë revistë që tashmë konsiderohet mashtruese edhe nga vet Senati i UP-së”, ka thënë ORCA në njoftimin për media.
ORCA e ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Etikës, por mendon se “shkeljet e kryera nga profesori kanë merituar masa më të ashpra”.