Kryeministri Albin Kurti është kritikuar për mos raportim në Kuvend, dy ditë pas takimit të tij me presidentin serb në Bruksel. Derisa Kurti ka thënë të jetë në pritje të ftesës së partive opozitare për raportim, në këto subjekte politike theksuan se kjo mund të bëhet nga kryeministri edhe me vetiniciativë.
Dy ditë pas mbajtjes së takimit në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia u dakorduan me përmbajtjen e propozimit evropian, nuk dihet nëse kryeministri Albin Kurti do të raportoj në Kuvend.
Përveç gatishmërisë, kryeministri Kurti, një ditë më parë, raportimin eventual ua ka lënë në duar deputetëve.
“Jam i gatshëm të shkojë në Kuvendin e Republikës çdo herë kur deputetët e konsiderojnë të nevojshme, besoj që ka nevojë. Por tash që është publikuar teksti unë besoj që ata që s`kanë pasur rastin ta lexojnë, ta bëjnë këtë dhe le ta shqyrtojnë, le ta studiojnë, le të diskutojnë hapur, thellësisht, gjerësisht sepse unë besoj që kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve, në të mirën e shtetit tonë”, ka thënë Kurti.
Por, në shoqëria civile, thonë se për çështje siç është dialogu, Kurti duhet të jetë iniciatorë i diskutimeve në Kuvend.
Sipas Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL, kryeministri ka për obligim që të japë llogari për temat me interes shtetëror.
“Kryeministri nuk duhet të presë që deputetët ta ftojnë atë në raportim, pasi që vetë kryeministri kur ishte në opozitë ishte një kritikues i madh i krerëve të qeverive atëherë për shkak të joraportimeve të shumta. Andaj kryeministri duhet të raportojë pa marrë parasysh nëse thirret nga deputetët, ai duhet ta marrë vetë iniciativën e tij dhe të raportojë për këto çështje që janë tejet të rëndësishme për vendin e Kosovës”, ka thënë Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL.
Në opozitë nuk treguan nëse kryeministrin Kurti do ta ftojnë në raportim. PDK-ja deh AAK-ja nuk iu përgjigjën pyetjeve për këtë, ndërkaq deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, tha se Kurti e ka për obligim që të raportoj para deputetëve.
“Besoj që së shpejti. Por përveç me ftu, ai e ka për obligim me ardh dhe me raportu para dhe pas çdo takimi. Unë e thash edhe më herët se kemi pas një debat lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ku kryeministri ka lënë në gjysmë”, ka thënë Rrezarta Krasniqi deputete e LDK-së.
As në Qeveri nuk treguan nëse me vet iniciatovë kryeministri Kurti do të raportojë në Kuvend.