Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Auditorit në Lipjan

Subjektet opozitare PDK, LVV, AAK dhe Nisma Socialdemokrate, dega në Lipjan, kanë kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit për të debatuar rreth Raportit të Auditorit të përgjithshëm. Raporti i fundit ka nxjerrë në pah një varg parregullsish gjatë menaxhimit nëpër drejtori të ndryshme.

Për këtë plan, opozita tashmë ka mbledhur gjithsejtë 11 nënshkrime sipas rregullores dhe ato i ka dorëzuar në sekretarinë e Kuvendit Komunal në Lipjan duke u bazuar në nenin 44 të ligjit NR.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe nenin 28.5 të statutit të Komunës, në udhëzimet administrative nr.02/2015 për mbajtjen e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, shkruan sot Koha Ditore.

“Kërkojmë mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës për të debatuar me rend dite lidhur me Raportin e Auditorit të përgjithshëm për Komunën e Lipjanit për vitin 2017. Arsyetojmë se Auditori i përgjithshëm në raportin e tij për vitin 2017 ka gjetur një varg shkeljesh të procedurave ligjore nga ana e Komunës së Lipjanit, andaj konsiderojmë se është në interes publik që të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës për të debatuar këtë raport dhe për të kërkuar sqarime nga kryetari i Komunës dhe nga drejtoritë përkatëse për këto shkelje dhe parregullsi të cilat janë publikuar në raport”, thuhet në kërkesën e katër subjekteve opozitare.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)