Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë kërkuar rrëzimin e Qeverisë. Ndërsa, shefja e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka konsideruar se nuk ka nismë serioze në këtë drejtim.
Në adresimin për media pas mbledhjes, Kusari-Lila ka thënë se nuk e mbështesin kërkesën për mocion të mosbesimit.
“Qëndrimi zyrtar i GP të VV-së përderisa nuk ka një nismë serioze, e cila tregon së pari përcaktimin e tri grupeve parlamentare është absurde të kërkohen votat e pozitës”, ka thënë ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet më tej ka njoftuar se më 28 mars nga ora 10:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga 40 deputetë, e cila synon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për kontratat e negociuara, ndërsa në ora 12:00 një tjetër seancë me pikat e papërfunduara nga seancat e 8, 14 dhe 22 shkurti.
“Kryesia është dakorduar që të mbajë një seancë më 11 prill në përvjetorin e 25-të për betejën e Koshares, gjithashtu do të diskutohet për mundësinë e një seance tjetër”, ka shtuar ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se vend duhet të shkojë në zgjedhje.
“Kryetari Krasniqi ka kërkuar që kjo qeveri të dorëhiqet. PDK e ka thënë tash e sa kohë që vendi duhet të shkoj sa më parë të shkoj në zgjedhje. Jam e bindur që partitë opozitare do të gjejnë formën që t’i jap fund kësaj qeverie. Zgjedhjet duhet të ndodhin sepse nuk ka asnjë progres për të cilin kjo qeveri mund të aplaudojë”, ka thënë ajo.
Lidhur me seancën që është kërkuar të mbahet për trajtimin e çështjes së kontratave joburimore, Deliu-Kodra ka thënë se nevojitet formimi i një komisioni hetimor parlamentar.
“Ne besojmë që edhe mazhoranca do ta votojë një komision të tillë. Presim që dita e enjte të jetë dita kur ky komision do të marrë formë dhe të ketë mandatin për të hetuar. PDK e ka ngritur shqetësim çështjen e prolongimit që e kemi në agjendën legjislative. Është zvarritje e agjendës që e shohim çdo ditë ndërkohë që qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të jetojnë më keq. Prioritet i yni ka qenë themelimi i komisionit hetimor parlamentar. Po kërkojmë si Kuvend t’i adresojmë gjetjet që janë skandaloze. Natyrisht që edhe raportet tona me aleatët do të kenë vend në diskutimet tona brenda Kuvendit”, është shprehur ajo.
Edhe shefi i GP-së së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka konsideruar se qeveria aktuale me Albin Kurtin në krye po shkon drejt fundit dhe qytetarët duhet të përgatiten për zgjedhje të reja.
“Se Kurti shihet i dorëzuar përballë paaftësisë në qeverisje, pra sot kryeministri është i ekskomunikuar nga zyrtarë shumë të lartë të vendeve partnere. Kosova a muaj të tërë që është në sanksione e problemet vaszhdojnë të shfaëqen në vendimmarrje në Kuvend. Është në fuqinë e tij dhe në detyrimin e tij që t’i jap mundësinë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur. Ai duhet të japë dorëheqje ose me marrjen e nismës për shpërndarjen e Kuvendit. Z. Kurti duhet të ndërmarrë veprime. Deklaroj publikisht që përkrahim një mocion të shpërndarjes së Kuvendit që duhet të bëhet me 2/3”, ka thënë ai.
Ndërsa, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se AAK-ja ka kërkuar qe një vit e gjysmë që të shkarkohet kryeministri Albin Kurti.
“Ne si AAK e kemi kërkuar shkarkimin e tij që 1 vjet e 6 muaj. Z. Kurti në strategjinë e tij e ka viktimizimin dhe ky viktimizim nuk kalon. Ne do ta thërrasim në interpelanca, në debate. Ballafaqimi i parë duhet të jetë në debatin për 3-vjetorin qeverisës”, ka thënë ai.
