Kërkesën për zgjedhje të reja në vend partitë opozitare po e shfaqin çdo ditë e më shumë. PDK-ja e LDK-ja po këmbëngulin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, raporton “Ekonomia Online”.
Ndonëse ka mbetur më pak se një vit deri në përfundim të mandatit të Qeverisë Kurti, partitë opozitare i shohin zgjedhjet si zgjidhje.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, tha për Ekonomia Online se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Mendoj që zgjedhjet e reja janë procesi më i domosdoshëm për këtë vend, duke parë gjithmonë këtë qeverije, mënyrën e keqe të qeverisjes së këtij vendi dhe një situatë mjaftë e rëndë, qoftë ekonomike, qoftë në aspektet tjera të këtij vendi. Prandaj mendoj që sa më shpejt që është e mundur ne duhet të shkojmë zgjedhje dhe sovrani të vendosë se kush do ta udhëheqë Kosovën vitet e ardhshme”, thotë Qalaj.
Përveç PDK-së zgjedhje të reja po kërkon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e më herët ka bërë thirrje për zgjedhje të reja edhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës. Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thotë për Ekonomia Online se pushteti aktual “po i bën dëm të madh vendit me çdo ditë që po qëndron”.
“Edhe një ditë nëse vazhdon kjo qeveri është edhe dhjetëfish dëmi më i madh për qytetarët e Republikës së Kosovës, normalisht që duhet me shku në zgjedhje po ne si opozitë e kemi të pamundur me dërgu Kosovën në zgjedhje, sepse kemi pak numra në parlamentin e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike të votohet me kaq besim të madh, mbi 50 për qind dhe me pas shumicën parlamentare pa asnjë koalicion. Sa i përket zgjedhjeve të reja atë minutë që zotëri Kurti është i gatshëm me hy në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës me krahë hapur më shumë dëshirë do t’i presë zgjedhjet e reja, sepse i ka dalë fytyra e vërtetë dhe kauzat e rrejshme të Kurtit tani më i kanë kuptuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Bunjaku-Rexhepi.
Edhe
PDK-ja kërkon zgjedhje sa më parë, LDK-ja insiston në dorëheqjen e Kurtit
Mendim të ngjashëm për të shkuar në zgjedhje nuk ka edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. Ai për Ekonomia Online, thotë se Qeveria Kurti duhet ta përfundojë mandatin e saj. Madje, Abazi nuk i sheh aq serioze deklarimet e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk shoh ndonjë arsye sepse mendoj që Kurti duhet ta përfundojë mandatin e vet, ashtu siç i është dhënë. Nuk ka të interesuar nga opozita në formën serioze për ta rrëzuar këtë Qeveri, duhet t’i lihet mundësia për të parë se për 4 vjet ka arritur të bëjë minimalisht mos të themi asgjë në të mirën e Kosovës, sepse ky mit i krijuar dhe premtimet që janë dhënë realisht janë përkthyer në asgjë tjetër përveç se një pushtet autokratik dhe popullizëm dhe luftë propagandistike ndaj kundërshtareve politikë, por asgjë konkrete në kuptimin e përmirësimit të jetës dhe realizimit të premtimeve të dhëna në fushatat elektorale”, u shpreh Abazi, që aktualisht është deputet i pavarur.