Dy partitë opozitare, PDK e LDK, u kanë dhënë mbështetje Këshillit Prokurorial e atij Gjyqësor kundër deklaratave të ministres Albulena Haxhiu. Abelard Tahiri nga PDK-ja ka thënë se kjo qeveri e ka synim degradimin e drejtësisë e Shkëmb Manaj nga LDK-ja ka deklaruar që komunikimi i Haxhiut me këto dy institucione dëshmon se bëhet fjalë për, siç i ka vlerësuar ai, qeveri praktikantësh
Krahë dy institucioneve të pavarura të drejtësisë u kanë dalë dy partitë opozitare më të mëdha nga, siç thanë, rreziku i ndikimit nga Qeveria.
Pas përplasjeve mes Këshillit Prokurorial e atij Gjyqësor me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me deklarata kundër qasjes së Haxhiut kanë dalë edhe përfaqësuesit e LDK-së e edhe ata të PDK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se deklaratat e ministres përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në këto institucione të pavarura.
“Unë nuk besoj që kjo qeveri është e interesuar për fuqizim të sundimit të ligjit. Unë mendoj se kjo qeveri e ka dëshmuar që tash e tutje që krejt çka është e interesuar të bëjë është degradimi edhe më tutje të institucioneve tona të pavarura në vend”, ka thënë ai.
Komunikimin e Haxhiut me institucionet e drejtësisë e ka konsideruar si ndërhyrje edhe Shkëmb Manaj nga LDK-ja.
Sipas tij, ministrja nuk po e kupton rolin e saj dhe se deklaratat e saj dëshmojnë, sipas tij, që bëhet fjalë për qeveri praktikantësh.
“Ministrja e Drejtësisë siç duket nuk e ka të qartë se cilat janë kompetencat e saj. Imazhi më i keq i mundshëm ishte sulmi që ministrja e Drejtësisë u bëri institucioneve të pavarura kushtetuese. Miratimi i strategjisë për sundimin e ligjit është hap për t’u përshëndetur, por vlerësojmë që ky dokument duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Është gabim i Qeverisë që këtë dokument ta aprovojë vetëm në Qeveri”, është shprehur ai.
Të martën Këshilli Prokurorial ka reaguar kundër konferencës për media të zëvendësministrit Blerim Sallahu dhe pretendimeve të tij që ekspertët mjekoligjorë ky institucion i ka paguar jashtëligjshëm.
Një ditë më vonë ky këshill, por edhe ai Gjyqësor reaguan ndaj deklaratave të ministres Haxhiu, ku ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me to nëse nuk distancohen nga skandalet e drejtësisë.
Reagime të këtyre dy institucioneve kishte pasur edhe muaj më parë, pas një kronike të Kohavisionit e ku Haxhiu kishte thënë se fillimisht do të duhej të ndërrohej përbërja e këtyre dy këshillave e me pastaj të zgjidhën shefat e institucioneve të drejtësisë për shkak të ndikimit të këtyre grupeve.
Reagime të këtyre dy institucioneve kishte pasur edhe muaj më parë, pas një kronike të Kohavisionit e ku Haxhiu kishte thënë se fillimisht do të duhej të ndërrohej përbërja e këtyre dy këshillave e më pastaj të zgjidhen shefat e institucioneve të drejtësisë për shkak të ndikimit të këtyre grupeve.
Ministrja Haxhiu në konferencë për media të mërkurën ka dalë për të folur për miratimin e Strategjisë se Sundimit të Ligjit, në të cilën është punuar që disa vjet e që konsiderohet një nga reformat më të mëdha në drejtësi. Por diskutimi për këtë strategji ka mbetur në hijen e deklaratave dhe kundërdeklaratave të dy këshillave dhe Haxhiut.
“Ne parashohim që ky të jetë udhërrëfyesi kryesor për ne dhe për institucionet ndërkombëtare që duan të investojnë në Kosovë, për t’ua treguar atyre rrugën drejt së cilës duam të shkojmë. Ky proces, jo vetëm që u ka qëndruar ndryshimeve të vazhdueshme politike në vend, por gjatë gjithë kohës ka gëzuar edhe përkrahjen e pakusht të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Haxhiu.
Në prezantimin e saj ka sqaruar se Strategjia për Sundim të Ligjit përmban katër objektiva strategjike, siç janë: fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë; fuqizimi i drejtësisë penale; fuqizimi i qasjes në drejtësi; dhe fuqizimi i luftës antikorrupsion, si dhe indikatorët specifikë për të matur arritjen e tyre gjatë viteve të ardhshme.
Sipas Haxhiut, strategjia është nisma më serioze që Kosova e ka ndërmarrë drejtë avancimit të sundimit të ligjit, me ç ‘rast ka falënderuar partnerët kyç me të cilët Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar gjatë gjithë këtij procesi.