Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita e quan mashtrim të Qeverisë Ligjin e pagave, pushteti i bindur se implementohet vitin e ardhshëm

Partitë opozitare në vend e kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosmarrjen e veprimeve karshi largimit të profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.

Vetëm këtë vit, 191 profesionistë shëndetësorë që janë larguar nga sektori publik, ku disa prej tyre kanë shkuar në sektorin privat e disa të tjerë jashtë vendit.

Por në anën tjetër, nga mazhoranca thonë se Qeveria ka lënë mjete për Ligjin e pagave, që i njëjti në momentin kur votohet, të hyjë në fuqi menjëherë, pa pasur nevojë për rishikim të buxhetit.

Për pushtet e opozitë, ikja e profesionistëve shëndetësorë është shqetësuese, të cilat shprehin bindjen se Ligji i Pagave sado pak mund ta ulë numrin e ikjen së mjekëve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, thotë se me veprimet e Qeverisë, është duke u punuar në parandalimin e ikjes së profesionistëve shëndetësor, qoftë me krijim të kushteve të punës por edhe me Ligjin e pagave.

“Në fakt kemi pas raportime dhe me shqetësim i përcjellim këto lëvizje që në fakt nuk është ikje jashtë vendit por janë ikje edhe në sektorin privat, dhe Ministria e Shëndetësisë ka marrë hapat e duhur në kuptimin e përmirësimit në radhë të parë të kushteve në vendin e punës, por edhe imputeve financiare të cilat janë pasqyruar në ligjin për paga”, thotë Shkreta, raporton EO.

Shkreta është optimist se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë mjete për implementimin e Ligjit të Pagave.

“Pikërisht në Buxhetin e vitit 2023, është menduar ajo kostoja buxhetore që do ta mbulojë pikërisht ligjin e pagave, e që në fakt do të ketë rritje të pagave në sektorin e shëndetësisë. Një fakt që opozita nuk e ka trajtuar drejt ose nuk e ka përmendur është që thuhet se Qeveria ka lënë shumë mjete në kontigjencë, e që në fakt do duhej të ishte lajm i mirë sepse kontigjenca këtë rast nënkupton që në momentin që Ligji i Pagave hyn në fuqi, ka një sasi të mjeteve të cilat do të përdorën konform implementimi të ligjit për paga”, u shpreh Shkreta.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka dhënë disa shifra për largim të profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik. Ai ka thënë se në bazë të një pyetësori, paga e ulët njëra ndër arsyet që po e braktisin Kosovën.

“Ky është fenomen shumë brengosës dhe duhet të jetë brengosës edhe për menaxhuesit e vendit, për shkak se ne ballafaqohemi me dy probleme; njëri është ikja e profesionistëve shëndetësor jashtë vendit dhe i dyti ikja e tyre nga sektori publik në atë privat. Vetëm nga viti 2018 deri në vitin 2022, kemi më shumë se 600 mjekë që e kanë lëshuar vendin e punës. ajo çka është më brengosëse është se në këtë vit, evidenton 191 profesionistë shëndetësor që janë larguar nga sektori publik. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë dalë jashtë, ndërsa pjesa tjetër kanë kaluar nga sektori publik në atë privat. Zakonisht këta kur e lëshojnë vendin e punës, bëhet një pyetësor dhe ajo që është brengosëse është që dy shkaqet që e mundësojnë është se 69 për qind e rasteve ikja nga sektori publik është si rezultat i pagesave të ulëta dhe papunësia”, ka thënë Dreshaj.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i quan mashtrime të radhës premtimet e Qeverisë rreth Ligjin të Pagave.

“Kaloi një vjet nga premtimi i kësaj Qeverie që në mars do të vijë Ligji i Pagave, u tha se do të vijë në qershor dhe së fundmi është thënë se do të vijë në shtator, dhe kaloi viti dhe nuk e kemi. Ajo çka është më skandal në veprimet ekzekutive është se nuk parashihet që në ligjin buxhetor as kostoja e ligjit të ri të pagave për vitin 2023, pra ky është një mashtrim i radhës, i cili e rëndon jetën institucionale në kuptimin e moslëvizjes së pagave në sektorin publik, por edhe në sektorë tjerë deficitar që shumë individ që janë të domosdoshëm për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë në institucionet tona, janë duke u larguar nga vendet e tyre të punës për një jetë më të mirë në perëndim”, u shpreh Zemaj. /EO

Artikuj të ngjashëm