Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 108 mjekë kanë lënë punën në institucionet publike shëndetësore për të vazhduar ushtrimin e profesionit jashtë vendit. Për të parandaluar këtë dukuri shqetësuese për shëndetësinë kosovare kërkohet krijimi i kushteve më të mira të punës dhe miratimi i Ligjit të pagave.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, duke e konsideruar si shqetësim të madh largimin e mjekëve nga SHSKUK-ja tha se Kosova ka dështuar në përpilimin e një strategjie të mirëfilltë për resurse njerëzore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSejdiu tha se krahas mjekëve tashmë nga Kosova po ikin edhe specializantët për shkak të kushteve jo të mira për shkollim specialistik.
“Tash po e tejkalon numrin që ne e kemi prognozuar për këtë vit ka qenë 200 deri 210 deri në fund të vitit, tash vetëm në 6 mujorin e parë i kemi 108 të cilët vetëm se i kanë bërë gati dokumentet, certifikatën për pastërti etiko-profesionale, që iu duhet kur të largohen... Presim që deri në fund të vitit me siguri mbi 220 mjekë të rinj kryesisht sepse në kuadër të tyre janë diku 7-8 specialistë, janë mbi 36 specializantë dhe të tjerë janë mjekë që po diplomohen dhe kjo është një alarm dhe nuk ka një prognozë të mirë”, tha ai.
Zgjidhje e sheh investimin më serioz në shëndetësi nga të gjitha aspektet.
Ikjen e mjekëve nga Kosova ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e konsideron si problem rrënjësor për shëndetësinë kosovare. Por, ndonëse shprehet se po punon në krijimin e kushteve më të mira për profesionistët shëndetësorë, Latifi theksoi se asnjëherë nuk do të mund ta ndalojë këtë dukuri të ikjes së trurit në 100%.
“Vendimi i një mjeku apo një infermiereje të qëndroj në Kosovë ose të shkoj jashtë është shumë kompleks, t’i ndërroj të gjitha elementet, t’i ndërtoj të gjitha qendrat e ekselencës dhe të gjitha programet që strategjia dhe qeveria jonë i ka përpara, ne nuk do të mundemi me ndal 100% largimin e mjekëve prej një vendi në tjetrin”, theksoi Latifi.
Zgjidhja më mirë për të parandaluar ikjen e mjekëve nga Kosova, sipas drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, është miratimi i Ligjit të pagave.
“Ajo që nevojitet më së shumti është Ligji i pagave ku punëtorëve shëndetësorë do t’ju sigurohet dhe garantohet një pagë e dinjtetshme në raport me shkollimin që kanë kryer dhe punën që bëjnë në kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve që do të jetë mënyra më e mirë dhe sinjali më i mirë që punëtorëve shëndetësorë t’u bëhet me dije se janë të nevojshëm dhe duhet të qëndrojnë në vendin e tyre për të ofruar shërbime shëndetësore. Është e drejtë e secilit individ, edhe e mjekëve, edhe infermierëve, për të synuar më të mirën e mundshme për profesionet e tyre dhe familjet e tyre. Por, ajo që neve na nevojitet më së shumti në këtë fazë është miratimi i Ligjit të pagave ku punëtorët shëndetësorë do ta gjenin vendin e tyre të merituar”, u shpreh ai.
Të shqetësuar për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik shprehen edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.
Besim Kodra, nga kjo shoqatë, thekson për KosovaPress se si pasojë e ikjes së mjekëve po rriten listat e pritjes dhe po bie kualiteti i shërbimeve shëndetësore. Ai kërkon nga shteti që të përmirësojë kushtet e punëtorëve shëndetësorë.
“Kjo padyshim që shkakton vështirësi për shkak se do të rrisë listat e pritjes në anën tjetër qytetarët të cilët kanë nevoja shëndetësore nuk mund t’i realizojnë ato si rezultat i mungesës së stafit që duhet t’i realizojë ato nevoja, edhe kjo padyshim që ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve pse jo edhe në jetëgjatësi. Për këtë duhet të mendojë shteti dhe të punojë për të rritur kualitetin e shërbimeve shëndetësore dhe kushtet e punës për ata punëtorë shëndetësorë në mënyrë që ata të punojnë këtu për misionin që janë shkolluar dhe kanë nevojë pacientët”, theksoi Kodra./ KP