Me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, Qeveria po synon që t’i motivojë mjekët për të qëndruar në Kosovë. Por nga Oda e Mjekësve po thonë se do të ketë ikje masive, sidomos nga sektori publik në atë privat.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësoi, Fatmire Kollçaku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se përmes Ligjit të Pagave do të korrigjohen pagat sepse nuk janë të duhura çfarë duhet t’i ketë një profesionist shëndetësor.
“Ajo çfarë po bëjmë është t’i motivojmë mjekët të qëndrojnë fillimisht sipas ndarjes së specializimeve, sipas prioriteteve dhe nevojave të institucioneve. Ne mendojmë që mjekët e rinj duhet të kenë kushtet e punës sepse nuk është vetëm paga motiv”.
“Përmes ligjit të pagave do të korrigjohen pagat sepse ne e dimë që nuk janë të duhura çfarë duhet t’i ketë një profesionist shëndetësor bazuar në punën dhe përgjegjësitë që i ka. Ne mendojmë që pas pesë vjetësh kur një mjek i përfundon studimet, të qëndrojë në vendin e punës dhe mendoj që do ta shohin të ardhmen në Kosovë sepse jemi të interesuar të investojmë në këtë sektor”.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu pritet po ashtu përshkallëzim i ikjes së mjekëve nga sektori publik. Sipas tij, ndonëse vendi ka ligje të shkruara mirë, po mungon zbatimi i tyre.
“Ne po gabojmë në sisteme në përgjithësi. Ne i kemi ligjet shumë të mira por është dështimi në implementim të ligjeve. Unë pres përshkallëzim të ikjes së mjekëve nga sektori publik”, tha Sejdiu.
Sejdiu shtoi se implementimi i gabueshëm i politikave nuk duhet të mjaftohet vetëm me një shkarkim sepse janë bërë dëme të mëdha. Ai theksoi se kanë pritur shumë ndryshime në lidershipin e ish-ministrit Rifat Latifi.
“Ne kemi thënë se ish-ministri Latifi ka pasur mjaft ide dhe ka qenë aktiv në diskutimet tona. Pse ato nuk janë shndërruar në aktivitete vjen te problemi i koordinimit. Ne kemi pritur shumë ndryshime në lidershipin e tij. Çdo gjë ka dështuar. Çdo ministër që vjen nëse nuk bazohet në përvojat e shteteve të ndryshme që kanë kaluar këtë fazë të funksionimit të një sistemi ai është i dështuar”./ EO