Propozim-ndryshimi i Ligjit për Buxhetin, me të cilin u përcaktua që vlera monetare e koeficientit për pagat në sektorin publik të jetë 105 euro, do të përballet me propozime nga opozita, kur çështja të dalë në Kuvend për miratim nga deputetët.
Të tri partitë opozitare kanë dhënë propozime të ndryshme, duke e cilësuar të ulët vlerën prej 105 eurove.
Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se PDK-ja do të propozojë amandamentimin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në 120 euro.
“Gjatë kësaj qeverisje, rritje substanciale kanë shënuar vetëm çmimet dhe emigrimi, por jo edhe standardi i jetesës së qytetarëve. Për Partinë Demokratike të Kosovës, çdo koeficient page nën 120 euro vetëm se rritë degradimin që ka kapluar standardin e jetesës në Kosovës dhe kontribuon në humbjen e mëtejme të shpresës për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës do të propozoj amandament në Ligjin për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media, pak orë pas vendimit të Qeverisë.
Pesë euro më shumë se PDK-ja do të jetë propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lumir Abdixhiku, kryetar i kësaj partie, ka thënë se LDK-ja do të propozojë amandamentim për ta ngritur vlerën e koeficientit në 125 euro.
“LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125. Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Edhe
Opozita me kritika për buxhetin e 2025-s

Vlerën më të lartë për koeficient e ka përmendur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se “vlera prej 129 eurosh e koeficientit do të ishte më minimalje”, pas ngritjes së çmimeve me të cilën po përballen qytetarët e Kosovës.

Ligji i Pagave rregullon pagat për mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik. Ai hyn në fuqi këtë muaj, ndërsa nga kryeministri Albin Kurti është cilësuar si barazi dhe ndershmëri në mes të kategorive e ngushtim hendeku mes zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve. Paga më e lartë me këtë ligj do të jetë ajo e presidentit me 1890 euro.
-
Murati: Nuk ka paligjshmëri në rritjen e propozuar të pagave
-
Abdixhiku: Në javën e parë të qeverisjes do ta bëj koeficientin 150 euro
-
Propozimet e opozitës që rëndojnë buxhetin me 570 milionë euro refuzohen nga pushteti
-
Nga rritja e koeficientit presidentes do t’i rritet paga për 90 euro, policëve për 25