U arrestua një polic gjatë operacionit kundër spiunazhit, ka konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë që është aksion shumë i rëndësishëm dhe që e rrit sigurinë.
Sveçla, ka thënë se pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtiq, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.
Sipas tij, ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Ka shtuar se njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj së Kosovës.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë. Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe”, ka thënë ai.
Operacion kundër spiunazhit në Kosovë
Një operacion me dyshimet për spiunazh ka nisur të enjten në Kosovë.
Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, operacioni po kryhet në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë për Inteligjencë.
Për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë informacione të tjera për lokacionet apo të dyshuarit.
"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit", njoftoi Prokuroria.