Arbëri

Oda e Avokatëve e mban fshehtë vendimin për blerjen 1 milionëshe të objektit në Prishtinë

Që nga 14 janari kur është blerë objekti i ri për Odën e Avokatëve të Kosovës, ende nuk është bërë publik ky vendim nga drejtues të këtij institucioni.

Kryetari i kësaj Ode, Osman Havolli, nuk e ka parë të arsyeshme që të flasë në lidhje me këtë, duke i thënë shkurt KTV-së përmes telefonit që nuk e vlerëson si çështje me interes për publikun dhe se të gjitha procedurat janë të publikuara në ueb-faqe.

Publikimin e këtij vendimi po e kërkojnë edhe drejtues të degës regjionale të avokatëve në Prishtinë.

Nasuf Hasani ka thënë se që nga fillimi e kanë kundërshtuar këtë blerje të objektit që, sipas tij, ka kushtuar më shumë se 1 milion euro.

Hasani shton se vendimi po u duhet për shkak se kjo degë do të ushtrojë padi për blerjen e këtij objekti, pasi, sipas tyre, objekti nuk i plotëson kushtet për avokatët.

Në ueb-faqen e Odës së Avokatëve të Kosovës nuk është asnjë vendim në lidhje me blerjen e objektit të ri që shumica e avokatëve nuk e dinë se ku gjendet, pos një njoftimi që është bërë më 17 shkurt për nënshkrimin e blerjes së tij.