Oda e Avokatëve të Kosovës tashmë ka filluar procedura kundër disa zyrave të avokatisë, që aktualisht funksionojnë pa licencë, e që të tilla ka shumë në Kosovë, raporton KTV.
Veprimtaria e tyre është bërë e mundur me regjistrimin si biznese në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe me Ligjin e Procedurës Kontestimore në lidhje me përfaqësimin në gjykatë në konteste civile.
Këto zyra që veprojnë pa licencë të Odës së Avokatëve, sipas anëtarëve të shoqërisë civile, nuk i japin përgjegjësi këtij institucioni.
Ndërkaq, në Odën e Avokatëve të Kosovës, kanë thënë se vetëm dy zyra dhe 4 shoqëri të avokatëve punojnë me licencë.
Një punë e tillë e këtyre zyrave është e dënueshme edhe me Kodin Penal të Kosovës. Oda e Avokatëve po ashtu ka përgatitur një draft amandamentim të Ligjit të Procedurës Kontestimore, dhe pritet që me ligjin e ri të ndryshohet dhe të minimizohet përfaqësimi në gjykata të Kosovës.