Arbëri

“NYT” nxjerr detaje: Ish-agjenti i FBI-së që u takua me Ramën, paguhej nga oligarku rus

Mediumi prestigjioz amerikan, New York Times, ka nxjerrë detaje të reja nga afera e ish-zyrtarit të Byrosë Federale të Hetimeve në Amerikë, Charles McGonigal, dhe kontaktet që kishte me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Sipas një shkrimi të publikuar të premten, përderisa McGonigal vazhdonte të kishte raporte me Ramën, ai në të njëjtën kohë paguhej nga oligarku rus Oleg Deripaska, i përfolur edhe si pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

McGonigal u arrestua në fund të janarit. Ai akuzohet se nuk ka raportuar kontaktet dhe lidhjet me zyrtarë të vendeve të tjera, përfshirë ata të Shqipërisë, si dhe se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare. Sipas aktakuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë në vitin 2017 një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Po në vjeshtën e atij viti, ai realizoi disa vizita në Shqipëri, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata dyshohet se u takuan më pas dhe në New York. Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës, për të cilin Rama ka pranuar se ka punuar pranë tij për një farë kohe, pa pagesë. Ndërsa për Nezën ka deklaruar se e ka njohur gjatë takimeve me ish zyrtarin e FBI-së.

Në një nga takimet, prokurorët pretendojnë se McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të ishte “i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për kërkime për naftë në Shqipëri, nga kompanitë ruse”. Ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare që thuhet se i pagoi McGonigalit 225 mijë dollarë, besohet se kishte një interes financiar në vendimin e Qeverisë rreth kontratave. McGonigal, i cili drejtonte hetimet për oligarkët rusë, përfshirë Deripaskan, akuzohet se përpara se të dilte në pension në vitin 2018, punoi për të hequr sanksionet ndaj tij në vitin 2019 dhe se mori para prej tij në vitin 2021 për të hetuar një oligark rival. Prokurorët pretendojnë se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, McGonigal fshehu një takim me kryeministrin e Shqipërisë, një politikan kosovar dhe të tjerë.

Në shkrimin e “New York Times” theksohet se McGonigal ka ndërmarrë hapa në dobi të Ramës.

“Teksa ishte ende në FBI, ai zhvilloi marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit, sipas prokurorëve në Uashington”, thuhet në shkrim. “Rama e portretizonte veten si reformator dhe kundërshtar të pushtimit rus të Ukrainës. Por pas pensionimit më 2018, McGonigal punonte në krahun tjetër, dhe ishte pjesë e listës së pagave të oligarkut të sanksionuar rus, Oleg Deripaska, që dikur konsiderohej si pjesëtar i rrethit të ngushtë të presidentit Vladimir Putin, sipas aktakuzës ndaj McGonigalit dhe një burri tjetër, Sergey Shestakov, në New York”.

“NYT” ka renditur ngjarjet dhe takimet mes ish-agjentit me biznesmenin shqiptar, Agron Neza, dhe Dorian Duçka, që shërbente si këshilltar jozyrtar i Ramës. Sipas aktakuzës së ngritur në Washington, Duçka e ka siguruar takimin e McGonigalit me Ramën më 2017.

Sipas shkrimit, gatishmëria e McGonigalit për t’u takuar me Ramën në një vend me prani diplomatike amerikane, sugjeron që ai s’po mbante të fshehtë përfshirjen atje. Ai gjithashtu thuhet se ka përdorur emailin e tij dhe telefonin e FBI-së për çështjet e lidhura me Shqipërinë.

Për lidhjet me Ramën, sipas prokurorëve, McGonigal nisi veprimin më 2017. Ai dyshohet se në atë vit ishte takuar me një biznesmen shqiptar në New Jersey. Biznesmeni, që sipas NYT-it është Agron Neza, nuk akuzohet për ndonjë shkelje. Në takimin e gushtit 2017, McGonigal i kërkoi para Nezës, kanë thënë prokurorët. Ata nuk kanë dhënë detaje se si u takuan Neza dhe McGonigal. Në aktakuzë, Neza përmendet si miku i McGonigalit. Pas takimit, besohet se të dy bashkë bënë disa udhëtime në Evropë. McGonigal shfrytëzoi pozitën për të lidhur raporte biznesi. Në vitin 2017, kishin shkuar në Shqipëri dhe Neza e ka prezantuar McGonigalin me Duçkën, që, sipas aktakuzës, siguroi takimin edhe me Ramën. McGonigal akuzohet se ishte përpjekur të shtynte Ramën drejt dhënies së licencës për çështje nafte për një subjekt të lidhur me Nezën dhe Duçkën. Në vjeshtën e atij viti, pas disa takimeve në Austri ku McGonigal dyshohet se e përdori Nezën si përkthyes, Neza ia ka dhënë ish-agjentit amerikan 225 mijë dollarë në tri këste. Sipas Aktakuzës, McGonigal ka premtuar se do t’i kthente paratë.

Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Duçkën në Shqipëri, ai akuzohet se kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobuesi që kundërshtari politik i Ramës e kishte punësuar për të pasur mbështetje nga presidenti Donald J. Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike se përputhen me përshkrimin e lobuesit Nicolas D. Muzin. Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Partia drejtohej nga Lulzim Basha. McGonigal hapi një hetim federal për një lobues për Lulzim Bashën, sipas prokurorëve.

Tutje, sipas aktakuzës, në vitin 2018, McGonigali përcillte informacione, që vinin direkt nga zyra e Ramës, në zyrën e FBI-së në New York. Në fund të shkurtit, sipas prokurorëve, FBI-ja hapi hetim zyrtar ndaj lobuesit me kërkesën dhe udhëzimin e ish-agjentit. Aty theksohet se Neza ishte ndër burimet që dhanë informacione gjatë hetimit e se Duçka ka paguar dëshmitarët në Evropë për udhëtimet dhe takimet e tyre me FBI-në.

McGonigal akuzohet se ka ndihmuar një oligark rus, duke shkelur vendimin e SHBA-së për sanksionet. Aktakuza ka nxjerrë në pah detaje të tjera, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Shqipërinë.