Arbëri

Nxënësit protestojnë me thirrjet “S’po shkohet n'shkollë”

Me thirrjet “s’po shkohet n'shkollë”, në Prishtinë, po protestojnë nxënësit e shkollave të mesme, duke kërkuar cilësi, barazi e siguri në arsim.

Protesta është organizuar nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës dhe ka nisur në orën 13:30 të së martës.

Me pankartat “mos ma ceno dijen”, “respektomi të drejtat”, “ku janë psikologët”, ata janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Denis Krasniqi përfaqësues i KNK-së ka thënë se kanë dalë për protestë, por në kushte normale sipas tij, do të duhej të ishin në bankat shkollore.

“Por për fat të keq s’po shkohet në shkollë. Shkolla ka dështuar të na ofrojë arsim cilësor, njohuri, mirëqenie e barazi. Shkolla injoron të drejtat tona. Çdo vendim merret për neve, pa neve. Kur i kërkojmë të drejtat tona, na thyejnë, e na ngacmojnë, e prandaj s’po shkohet ne shkollë. Kur na ankohemi ata na kërcënojnë ‘hajt se e sheh në fund të vitit’. Në shkollë nuk merren me shëndetin mendor. Nuk i kemi as kushtet elementare për higjienën. Nuk kemi dritë, nuk kemi kabinete, e laboratorë, në vend të këtyre kemi substanca narkotike. Nuk kemi libra ende mësojmë me diktime. Librat kanë gabime, i diskriminojnë gratë e grupet e margjinalizuara. Na ngacmohemi e bullizohemi nga mësimdhënësit”, ka thënnë Krasniqi.

Protesta të ngjashme janë planifikuar të martën në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.

{gallery}