Arbëri

Nxënësit i marrin librat nga shkollat, mësimin do ta zhvillojnë me prindërit në shtëpi

Me çanta në shpinë, nxënësit u paraqitën para objektit të shkollës, por jo për ta mbajtur procesin mësimor.

Ata bashkë me prindërit e tyre shkuan që t’i marrin librat në shkollën “Xhemail Mustafa” në kryeqytet, në mënyrë që mësimin ta zhvillojnë vetë në shtëpi.

Petrit Abazi, i cili sivjet është nxënës i klasës së gjashtë, e pret me padurim ditën kur do t’i takojë arsimtarët e rinj dhe t’u rikthehet bankave shkollore bashkë me moshatarët e tij.

“Ke një ndjenjë shumë e mirë, na qe disa kohë jemi në shtëpi dhe i kemi kaluar pushimet verore, por unë po kam qejf që shumë shpejt të shkoj në shkollë”, ka thënë Abazi.

Takimit të shkurtër me shokë e shoqe iu gëzua edhe nxënësi Orges Çoqaj. Ai kërkon që mësimin ta zhvillojë në shkollë.

“Më mirë të vish e të mësosh në shkollë se ta japin diturinë arsimtarët dhe të ndihmojnë pak më shumë”, tha ai.

Prindërit në shkollat e Prishtinës kanë filluar që t’i marrin librat shkollorë, pas thirrjes së Këshillit të Prindërve të Kosovës, që ta zhvillojnë mësimin në shtëpi.

Kjo mënyrë e mësimit në Kosovë është zhvilluar gjatë pandemisë, si dhe gjatë viteve ‘90.

Rikthimi i mbajtjes së mësimit në shtëpi për prindërit është shqetësues.

“Është shqetësuese edhe për ne si prind për arsye se ne të dy punojmë, unë edhe shoku, dhe orari punës është tetë deri katër. Për fëmijët kemi shumë problem se ku t’i lëmë, kush të kujdeset për ta, shumë problem”, deklaroi Roza Xhoxhaj, prind.

“Ne prindërit, sigurisht që ne punojmë, e udhës që fëmijët të shkojnë në shkollë që të mësojnë, por tash kur t'i marrim librat duhet ta ndajmë edhe ne një kohë për t’u ulur me ta që t'i mësojmë”, shtoi Vigan Rugova, po ashtu prind.

E në Këshillin e Nxënësve të Kosovës kanë thënë se është e papranueshme mohimi i së drejtës kushtetuese të tyre për arsimim.

“Të përdoret secili mjet i mundshëm, por jo në kurrizin e nxënësve, për ne është e rëndësishme që mësimi të fillojë dje dhe jo sot dhe të munden nxënësit të kthehen në shkolla, pastaj çështjen e kërkesave qoftë të sindikatës të arsimit, qoftë të sindikatave të tjera të trajtohen me mjete dhe metoda të tjera, të cilat nuk i cenojnë të drejtat e nxënësve”, deklaroi Ditjon Fetahu nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës.

Në Këshillin e Nxënësve kanë thënë se do të koordinohen me mësimdhënësit që nuk janë në grevë që të mbajnë ligjërata online.

Në takimin e së martës mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe atyre nga sindikatat nuk u arrit marrëveshje për ndaljen e grevës e kthimin e nxënësve në banka shkollore.