Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nxënës shqiptarë e serbë pa komunikim edhe pse mësojnë në të njëjtën shkollë

Ndodhen në të njëjtin objekt shkollor, por mësojnë me kurrikula të ndryshme.

Nxënësit e shkollës “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë zhvillojnë mësimin me kurrikulën shtetërore të Kosovës, ndërsa ata të shkollës “Aca Maroviq” arsimohen në kuadër të strukturave paralele serbe.

Komunikimi i vetëm ndërmjet dy shkollave që zhvillojnë aktivitetin brenda së njëjtës godinë bëhet përmes stafit teknik, në raste kur nevojitet intervenim për ndonjë prishje infrastrukturore.

Drejtori i shkollës në të cilën mësohet në shqip thotë se shkolla tjetër heziton të bashkëpunojë në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.

"Ka qenë në kohën e parapandemisë një aktivitet i organizuar nga OSBE-ja në fushën e arteve, ku një numër prej 20 nxënësve të shkollës sonë dhe një numër prej 20 nxënësve të shkollës serbe kanë zhvilluar aktivitet me temën bashkëjetesa. Kemi pasur edhe disa projekte të përbashkëta në shkollën e vjetër sa kemi qëndruar bashkë atje. Nëpërmjet KFOR-it slloven dhe kanadez kemi arritur bashkërisht t'i mbjellim diku mbi 100 drurë dekorativë në oborrin e asaj shkolle", tha drejtori i shkollës “Daut Bogujevci”, Sabri Gjikolli.

Edhe kontakti mes nxënësve mungon. Nxënësit shqiptarë thanë prapa kamerës se nuk komunikojnë me bashkëmoshatarët e tyre pasi nuk e flasin gjuhën e njëri-tjetrit.

Procesi mësimor në shkollën “Aca Maroviq” fillon në orën 7 të mëngjesit, ndërsa në shkollën “Daut Bogujevci” fillon në 8 të mëngjesit.

Edhe Pupovci: Duhet marrëveshje me serbët për kurrikulat në gjuhën serbe Arbëri Pupovci: Duhet marrëveshje me serbët për kurrikulat në gjuhën serbe

KTV tentoi që të bashkëbisedojë edhe me stafin e shkollës ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe, mirëpo menaxhmenti nuk pranoi, me arsyetimin se nuk u lejohet të flasin me mediat.

Autoritetet lokale në Fushë-Kosovë thanë se shkolla “Aca Maroviq” nuk i përgjigjet Komunës.

“Këto 2 shkolla që funksionojnë paralelisht në të njëjtin objekt janë shembull tejet i mirë i ndërveprimit dhe bashkëpunimit edhe ndëretnik, edhe profesional. Drejtuesit e kësaj shkolle nuk përgjigjen në ftesat nga ana jonë për takime – nga ana e DKA-së”, tha drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Samir Shahini.

Në Kosovë janë mbi 90 shkolla të financuara nga shteti i Serbisë që realizojnë mësimdhënien në gjuhën serbe.