Zyra ligjore e Ministrisë së Financave ka shuar dilemat ligjore nëse është përgjegjësi apo jo e nivelit lokal falja e tatimit në pronë. Të premten ky departament i Ministrisë i është përgjigjur kërkesës së kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, për interpretim ligjor, duke konfirmuar se legjislacioni nuk autorizon komunat për falje të tatimit
Komunat nuk kanë të drejtë të falin detyrimet tatimore për pronën.
Departamenti Ligjor i Ministrisë së Financave ka sqaruar këtë kufizim në përgjigjen që të premten i është dhënë Komunës së Drenasit. Ishte vetë ministri i Financave, Hekuran Murati, që u kishte propozuar komunave që t’ua falin nga 100 euro qytetarëve nga vlera e kalkuluar e tatimit për vitin 2023.
Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një komunikate ka publikuar përgjigjen e Ministrisë, në të cilën thuhet se legjislacioni aktual nuk autorizon komunat për falje të tatimit.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) konfirmon të drejtën e komunave që nuk kanë kompetencë për faljen e tatimit në pronë. Kjo është vërtetuar edhe në përgjigjen që MFTP ka dhënë edhe në kërkesën e kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, i cili para pak ditësh kërkoi interpretim ligjor nga MFPT rreth asaj që a kanë të drejtë komunat të falin tatimin në pronë”, thuhet në komunikatën e Asociacionit të Komunave.
Pas këtij interpretimi ka reaguar ish-ministrja e Financave, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se propozimin e Muratit e ka hedhur poshtë vetë dikasteri që ai drejton.
“Ministria demanton ministrin dhe e bën cc: Komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime - propozimin e Muratit e hedh poshtë Ministria e tij. Çdo ditë po e dëshmojnë se janë qeveri praktikantësh”, ka shkruar Bajrami.
Ministria e Financave nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, por përmes një postimi ministri Hekuran Murati ka thënë se opinioni i Departamentit Ligjor është në një linjë me atë se çfarë ka deklaruar vetë ai një javë më parë.
“Atë çfarë kam thënë unë e ka thënë edhe Departamenti Ligjor i MFPT-së: - që dispozitën për zbritjen e tatimit në pronë deri në 100 euro për faturën e vitit 2023 do ta përfshijmë në ligjin e ri. Meqenëse tashmë janë bërë disa komuna që kanë mbështetur këtë nismë, ne si Ministri qysh javën që vjen do t’i nisim procedurat, fillimisht duke lëshuar projektligjin për konsultime të brendshme, e pastaj edhe për konsultime publike dhe pas kësaj do ta dërgojmë për miratim në Qeveri”, ka shkruar Murati, teksa ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
Të mërkurën Komuna e Drenasit kishte parashtruar kërkesë për opinion ligjor nga Ministria e Financave nëse ka të drejtë Kuvendi Komunal të vendosë për faljen e tatimit në pronë.
“Konsiderohet se opinioni ligjor nga Ministria e Financave Transfereve dhe Punës do të sqarojë dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të ministrit z.Murati për "faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023. Dilemat e shprehura nga kryetarët e komunave rreth ligjshmërisë së këtij propozimi të ministrit të Financave, z.Murati, presim t'i japë zgjidhje ky opinion sqarues që e presim nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës”, thuhet në kërkesën e kryetarit të kësaj komune, Ramiz Lladrovci, nisur Ministrisë.
Ndërkohë, të premten, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, i ka kërkuar Ministrisë së Financave që t`i lirojë të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune nga pagesa e tatimit në pronën e paluajtshme në vlerën prej 100 eurosh për vitin 2023.
Siç thuhet në një njoftim të kësaj komune, ky rekomandim i Grupit të këshilltarëve të LVV-së është mbështetur nga Kuvendi me 27 vota për, një kundër dhe një abstenim.
“Edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i ka inkurajuar këshilltarët komunalë që ta mbështesin propozimin, duke thënë se komunat nuk do të dëmtohen, pasi pret që Qeveria t`ua rimbursojë këtë shumë. Ndërkaq, opozita edhe pse e ka mbështetur me votë rekomandimin, ka thënë se do të bëjë përpjekje shtesë për t’i shtyrë përpara edhe propozimet e saj për pezullimin e rivlerësimit të pronave, faturimin e tatimit sipas vlerës së vitit 2022, përkatësisht që Qeveria t`i subvencionojë nga buxheti qendror faturat deri në shumën 100 euro, që mbledhja e tatimit në pronë të fillojë nga janari i vitit 2024, kurse afati për pagesën e ratës së parë për sivjet të shtyhet deri më 30 qershor”, thuhet në njoftim.
Rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave javën e kaluar nxiti reagime të shumta në opinion. Në disa zona, veçanërisht në kryeqytet, tatimi në pronë u rrit për 100 për qind.