Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka propozuar ditë më parë që komunat t’ia falin 100 eurot e para secilit tatimpagues.
Por, sipas deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, kjo gjë s’mund të ndodhë sepse komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime. Propozimin e Muratit, thotë ajo, e hedh poshtë ministria e tij ndërkohë që ka publikuar një shkresë të MF-së drejtuar një kryetari komune për këtë çështje.
“Çdo ditë po e dëshmojnë se janë Qeveri praktikantësh”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Shkresa i drejtohet një komune nga Departamenti Ligjor i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kërkesën lidhur me mundësinë e faljes së tatimit në pronë në komunë nga Kuvendi Komunal deri në vlerën 100 euro.
“Pas shqyrtimit te kujdesshëm të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (në tekstin e mëtejmë: LTPP), ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë. Në kapitullin e VI të LTPP-së evidentohet se pagesa e tatimit në pronë është e detyrueshme. Më tej, ky kapitull përmban edhe autorizime për shtyrje të pagesës por jo edhe të faljes. Andaj, vlerësojmë se për një falje të tillë, duhet një akt juridik që ka fuqinë juridike të ligjit. Për qëllime ilustrimit, një situatë e ngjashme ishte adresuar përmes miratimit të Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, ku u miratua një ligj i cili ka autorizuar shprehimisht faljen e borxhit”, thuhet në shkresë.
Situatat e tilla mund të adresohen përmes ndryshimit dhe plotësimit të ligjit aktual, ka udhëzuar krejt në fund departamenti.
