Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Norvegjia do ta mbyllë ambasadën në Prishtinë

Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka bërë të ditur të premten se do të mbyllë pesë misione diplomatike nga viti 2023, përfshirë ambasadën në Prishtinë.

Në fjalimin e saj para Parlamentit norvegjez, ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt, ka deklaruar se janë në proces të rishikimit të strukturave të Shërbimit të Jashtëm për të mbrojtur interesat norvegjeze në një epokë të re në Evropë, si arsye për mbylljen e pesë ambasadave në botë. 

“Nuk është kurrë e lehtë të vendosësh të mbyllësh misionet norvegjeze. Mbylljet si këto ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë dhe kanë pasoja edhe më të mëdha për stafin e punësuar në vend. Por ne kemi një përgjegjësi për të përdorur burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, ka thënë Huitfeldt.

Marrëdhëniet diplomatike të Norvegjisë me Kosovën do të trajtohen përmes marrëveshjeve alternative. Përgjegjësia diplomatike do t’i jepet një ambasade norvegjeze që është afër Kosovës, ose do të emërohet një ambasador me bazë në Norvegji.

Përveç në Kosovë, ambasadat norvegjeze në Sllovaki, Shri Lankë, Madagaskar dhe Konsullata e Përgjithshme në Huston të SHBA-së do të mbyllen.

Norvegjia aktualisht ka 101 misione diplomatike dhe konsullore. Ndryshimet e planifikuara do të nënkuptojnë se Norvegjia ka më pak misione jashtë vendit, por ruan afërsisht të njëjtin numër të stafit diplomatik. Shërbimi i Jashtëm Norvegjez përbëhet nga më shumë se 2600 punonjës. Rreth 800 prej tyre punojnë në Oslo, mbi 600 janë staf diplomatik dhe rreth 1200 janë staf të punësuar në vend, të rekrutuar drejtpërdrejt nga misionet jashtë vendit.