Edhe dy ditë pas votimit të Qeverisë Kurti, ende nuk është publikuar programi qeverisës.
Gjithë çfarë dihet deri tani është ekspozeja që e ka prezantuar Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, raporton KTV.
E kjo ka zgjuar edhe reagime të shumta për sa i përket realizueshmërisë.
Arton Demhasaj nga “Çohu”, thotë se sfida më e madhe do të jetë zgjedhja e presidentit të ri.
Në draft-programin e Kurtit thuhet se të dyja partitë për këtë do të dakordohen përmes një akti të veçantë.
Problem tjetër për Kurtin pritet të jetë edhe çështja e taksës.
Në po të njëjtin program thuhet se ajo do të zëvendësohet me masa të reciprocitetit. Programi i Qeverisë së re shihet vështirë i realizueshëm edhe për shkak të pjesës buxhetore.
Si kryeministër, Kurti synon që buxhetin e shtetit ta rrisë në 3 miliardë euro. Sipas njohësve të ekonomisë, një gjë e tillë do kohë.
Qeveria në draft-programin e saj rëndësi u kushton edhe rendit, ligjit e sigurisë. Këtu parashihen edhe reforma arsimore, për shkak të gjendjes së rëndë në këtë sektor.