Arbëri

Njohësit thonë se njohja s’duhet të lihet deri në prag të anëtarësimit në BE

Njohës politikë në Prishtinë thonë se marrëveshja finale që siguron njohjen “de jure” duhet të synohet shumë më herët sesa kur Kosova dhe Serbia të përmbushin kushtet për anëtarësim në BE. Ata rikujtuan se gjatë rrugës Serbia edhe mund të tërhiqet nga rruga e anëtarësimit në BE.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë kualifikuar si të gabuar përcaktimin e Perëndimit që marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë të lihet deri në finale të procesit të integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Njohësi i çështjeve politike, Seb Bytyqi, ka thënë se procesi i njohjes duhet të shpejtohet, pasi konsideron se ekziston rreziku që Serbia të heqë dorë nga integrimi në BE.

“Ajo që duhet të bëhet është që të afatizohet njohja reciproke. Të arrihet marrëveshja që pas një periudhe një apo dyvjeçare të hyjë në fuqi njohja reciproke. Kjo për shkak se anëtarësimi në BE mund të zgjasë shumë dhe gjithashtu ekziston mundësia që Serbia të heqë dorë nga anëtarësimi në BE”, ka thënë ai.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se BE-ja e ka ofruar këtë opsion si zgjidhje të ndërmjetme, meqë mendon se është marrë parasysh kundërshtimi i madh që ka Serbia për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

“Do të ishte e dëshirueshme që afati të ishte shumë më i shkurtër dhe kjo do të ishte e mundur sikur të kishte një presion të fuqishëm nga ana e BE-së dhe e aktorëve të tjerë, SHBA-së. Si duket për shkak të kundërshtimeve serbe dhe për shkak të mungesës së gatishmërisë që nga ana e Serbisë të ketë njohje de jure dhe të plotë për Republikën e Kosovës, atëherë po gjendet një ‘modus vivendi’”, ka deklaruar Hoti.

Njohësit politikë kanë theksuar se çështja e njohjes që do të mbetet e hapur për vite do të ketë edhe pasoja. E, për këtë qasje të BE-së në raport me marrëveshjen finale kanë thënë se ngjason me praktikën që ajo e ka aplikuar në rastin e Qipros.

“Kjo bazohet në praktikën aktuale, në praktikën çfarë po e ndjek BE-ja tani, në rastin e Qipros në mënyrë të veçantë, që nuk lejohet që në BE të importohen probleme nga jashtë, por çfarëdo problematike në mes të shteteve aspirante do të duhej apriori të zgjidhej e tek më pas të lejohej hyrja në BE”, ka thënë Hoti.

“Për shkak të fokusimit shumë të madh në dialog, ligjërimi publik apo opinioni publik është i preokupuar shumicën e kohës me dialog dhe kjo nënkupton që nuk shpenzohet mjaft energji duke diskutuar për çështje të tjera, siç është zhvillimi i vendit”, është shprehur Bytyqi.

Pas Pavarësisë së Kosovës çështja e dialogut me Serbinë ka qenë kryetemë. Kryeministri Albin Kurti pati thënë se atë nuk do ta ketë top-prioritet, por të kundërtën e ka bërë në dy vjetët e para të mandatit të tij, kohë gjatë së cilës është përballur edhe me presionin ndërkombëtar për një marrëveshje të shpejtë.